Zyrtari libian: Terroristët e ISIS në Evropë po hyjnë të “maskuar” si klandestinë

ISIS ka gjetur një mënyrë për të futur terroristët në vendet e Evropës. Një këshilltar i qeverisë në Libi, Abdul Basit Haroun i ka thënë BBC-së se në mesin e emigrantëve, që vërshojnë drejt Europës prej brigjeve libiane, ka edhe militantë të Shtetit Islamik.

Loading...

Ai ka thënë se trafikantët i fshehin luftëtarët e ISIS-it mes refugjatëve, që mbushin anijet e nisura përmes Mesdheut. Haroun shpjegon se këtë informacion e ka nga vetë pronarët e mjeteve, në disa pjesë të Afrikës së Veriut të kontrolluara nga ISIS-i.

Grupi ekstremist ua lejon trafikantëve vazhdimin e aktivitetit, por u merr në këmbim 50% të të ardhurave. Sipas llogaritjeve të OKB-së, vetëm këtë vit, detin Mesdhe janë përpjekur ta kalojnë 60.000 vetë. Më shumë se 1.800 prej tyre mendohet të kenë humbur jetën, gjatë një udhëtimi, që si shpeshherë kryhet me anije të mbushura përtej kapacitetit dhe të papërshtatshme për lundrim.

Sipas Harounit, ISIS po i përdor anijet për njerëzit e tij, që kërkon t’i dërgojë në Europë dhe forcat policore europiane, sipas tij, nuk kanë sesi ta kuptojnë se kush është refugjat normal e kush jo.

Sipas zyrtarit libian, synimi është mjaft i qartë: xhihadistët po përgatiten për sulme të ardhshme në kontinentin e vjetër. Në fillim të këtij viti, agjencia e kontrollit kufitar të BE-së, “Frontex”, paralajmëroi se kishte shumë mundësi, që luftëtarë të huaj të ishin duke përdorur rrugët e paligjshme të emigracionit për të hyrë në Europë.