Zvarritet ndërtimi i objektit të FSHMN-së, bllokohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës

Në buxhetin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin 2018 ishte paraparë ndërtimi i objektit të FSHMN-së.

Ani pse janë ndarë mjetet, UP-ja është në telashe me përcaktimin e parcelës së ndërtimit të objektit të ri të FSHMN-së.

Krejt kjo për shkak të Kuvendit Komunal të Prishtinës, i cili ende nuk ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e objektit në parcelën e tokës afër fakulteteve teknike, vend ky i propozuar nga kryetari Shpend Ahmeti.

Në një përgjigje me shkrim nga Universiteti për Indeksonline kanë thënë se edhe pse është bërë ndarja e mjeteve, objekti nuk është nisur për shkak se KK i Prishtinës nuk ka dhënë pëlqimin.

“Është e saktë se në buxhetin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin 2018 është planifikuar ndërtimi i objektit të FSHMN-së dhe është bërë ndarja e mjeteve, por ndërtimi i objektit nuk ka filluar për shkak se ende nuk kemi marrë pëlqimin nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, për çka vazhdojmë të jemi në bisedime”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Sipas tij, nuk mund të bëjnë asgjë, pasi caktimi i parcelës për ndërtimin e objektit është kompetencë e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Tutje, në përgjigjën e tyre, zyrtarë nga UP-ja theksojnë se janë në bisedime, por, që ende nuk kanë arritur marrëveshje.

“Lidhur me parcelën për ndërtimin e objektit të FSHMN-së para Fakulteteve Teknike ka pasur biseda me Kuvendin Komunal, por pëlqimi nuk është marrë deri me tani”, thuhet mes të tjerash në përgjigje.

Se pse Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka dhënë pëlqimi, ekzekutivi thotë se partitë opozitare nuk ishin të gatshme të kontribuojnë në inicimin e planit, çka edhe u bllokua ky proces.

“Si ekzekutiv kemi proceduar në Kuvend Komunal inicimin e planit të hollësishëm rregullues për atë zonë, në mënyrë që të përfshihen edhe kërkesat e UP-së. Partitë opozitare nuk ishte e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim, dhe si rrjedhojë u bllokua ky proces”, thuhet në përgjigjën nga Komuna.

Ndërsa, theksojnë se do ta dërgojnë sërish çështjen në Kuvend, ashtu që të bëjnë zgjidhje sa më parë.


Kujtojmë që studentët e FSHMN-së, drejtues të këtij fakulteti e përfaqësues të UP-së, janë ngritur protesta disa herë për përcaktimin e lokacionit të ndërtimit të objektit, pasi objekti aktual nuk i përmbush kushtet për zhvillim të studimeve.

Ndërsa, pas takimit me ta, kryetari Shpend Ahmeti u pati thënë se në pranverë të vitit 2018 do të niseshin punimët, gjë që nuk është bërë për shkak të bllokimit të këtij procesi në Kuvendin Komunal.

Studentët e këtij fakulteti shpresojnë se kjo çështje do të zgjidhet më në fund dhe të ndërtohet një objekt i ri. Kjo pasi, hapësira ku ata e kalojnë një pjesë të madhe të kohës, nuk i përmbush as për së afërmi kushtet për studim.

Ndërsa, për parcelen e planifikuar të komunës për ndërtimin e këtij objekti është kundërshtuar më parë nga Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë elektrike dhe Kompjuterike.

Në këtë letër të dekanit të FIEK-ut, Enver Hamiti adresuar Prorektorës për Buxhet dhe Financa, Myrvete Badiviku, thuhet se ndërtimi i saj në këtë parcelë e bënë të pamundur lëvizjen e lirë të studentëve.

“Parcela e planifikuar është hapësirë e cila gjendet në oborrin e ndërtesës së Fakulteteve Teknike (FIEK, FIM dhe FNA). Kjo parcelë është gjysma e hapësirës së gjelbëruar të oborrit të fakulteteve dhe në të janë ndërmarrë disa aktivitete për ta pasuruar gjelbërimin e saj. Ndërtimi në këtë parcelë do të bëjë të pamundur lëvizjen e lirë të studentëve dhe rrjedhimisht konsiderohet tërësisht e pamjaftueshme për zhvillimin e papenguar të gjitha aktiviteteve akademike, përkatësisht dy ndërtesave, ekzistuese të Fakulteteve Teknike dhe ndërtesës së re të FSHMN-së, sipas standardeve dhe normave në fuqi”, thuhet në letrën e Dekanit, Enver Hamiti.

Më parë ishte propozuar që të objekti të ndërtohet afër Fakultetit të Bujqësisë, mirëpo kjo nuk u përkrah nga studentët e FSHMN-së, pasi është me në periferi të kryeqytetit.

Ndërsa, brenda kampusit universitar nuk ka hapësirë për ndërtimin e saj./Indeksonline/