Zhvillohet Forumi Ekonomik i Vjenës, Rama, Mustafa e Vuçiç: Të çojmë para projektet e përbashkëta

Kanë nisur paraditen e së enjtes në Tiranë punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës, ku të pranishëm janë krerët e qeverive të vendeve të rajonit.

Loading...

Përveç atij shqiptar, pjesëmarrës janë edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, ai maqedonas Nikolla Gruevski dhe ai kosovar, Isa Mustafa.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama e ka vlerësuar këtë takim si një mundësi unike që vendet e Ballkanit të unifikojnë përpjekjet në rrugën e integrimit evropian, si një objektiv i përbashkët i tyre.

“Integrimi shihet si një shans unik për të ardhmen. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa, por duhet të shohim drejt së ardhmes për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Ne nuk mund të ecim të vetëm, por duhet të ecim së bashku, sepse askush nuk është i pacënueshëm. Ne duhet të inkurajojmë vetëdijen e asaj çfarë jemi, çfarë mund të ofrojmë dhe çfarë mund të përfitojmë. Bashkëpunimi për sfidat ekonomike dhe politike është thelbësor, kur synimi ynë i përbashkët është Evropa”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, realizimi i projekteve rajonale do të afrojë popujt tanë dhe e ka cilësuar Samitin e Vjenës një mundësi për të çuar përpara angazhimet e marra së bashku.

Në të njëjtat linja, kryeministri serb Vuçiç ka vlerësuar diskutimet e zhvilluara me homologun shqiptar për temat e përbashkëta, duke e cilësuar si shumë pozitive shkëmbimin e mendimeve.

“Ramë dakord për dy çështje të rëndësishme, që janë objektiva të përbashkët për të gjithë ne që synojmë rrugën evropiane me anëtarësimin në BE”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka nënvizuar se mes popullsive të rajonit ka një lodhje sa i takon qëndrimit të BE-së për integrimin, ndaj ka propozuar forcimin e bashkëpunimit me projekte konkrete për ta përshpejtuar procesin.

“Duhet të kujdesemi për veten, kemi një treg prej 20 milionë banorë, të kontaktojmë me BE-në dhe të japim maksimumin për realizimin e tyre. I kam propozuar Edit disa projekte të përbashkëta, t’ia propozojmë Brukselit dhe nëse nuk marrim mbështetje, ne si Serbi jemi gati t’i financojmë ato me lekët tona. Ne duhet të lidhim rajonin, të lidhim njerëzit, me tregje më të mira. Bashkarisht mund të kalojmë në tregjet e tjera, ku mund të ofrojmë produktet tona”, ka nënvizuar Vuçiç.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Ne inkurajojmë stabilitetin dhe ky stabilitet që ka qenë në vitet e fundit duhet të vazhdojë. Nuk mund të bëjmë reforma pa bashkëpunim rajonal”, ka shtuar ai.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur gatishmërinë për përfshirjen e vendit të tij në projektet rajonale, si dhe për zgjidhjen e problemeve me fqinjët përmes dialogut.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të ndërtuar stabilitetin në rajon, që të krijojmë kushte që njerëzimi të jetojë më mirë. Ne kemi sfidat tona, që kanë të bëjnë me procesin ekonomik, infrastrukturën e munguar, si dhe kemi një nevojë për përkrahje më të madhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, duke qenë se kemi hyrë më vonë në periudhën e tranzicionit. Përpos bashkëpunimit për infrastrukturën ka hapësirë për bashkëpunimin tregtar, në fushën e turizmit, etj. Kemi mundësi të punojmë edhe në zhvillimin e tregut rajonal, të lidhemi me tregun evropian, që të gjendemi bashkarisht në familjen evropiane. Kosova është vend i hapur për të gjitha vendet dhe ne jemi të gatshëm që problemet me Serbinë t’i zgjidhim me dialog në interes të stabilitetit dhe paqes”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, duke prekur edhe ngjarjet e fundit tragjike të ndodhura në vendin e tij, ka vlerësuar se siguria është një çështje që kërkon prioritet.

Ai kërkoi tejkalimin e kontesteve mes vendeve të Ballkanit, duke nënvizuar se, po të mos ishin ato, “Maqedonia jo vetëm do kishte qenë anëtar i NATO-s dhe do kishte nisur negociatat e anëtarësimit në BE, por ato që ndodhën (ngjarjet në Kumanovë) do të kishin pasur një rrjedhë tjetër”.

“Megjithatë, ne po punojmë me reformat që të ecim përpara dhe është pozitive që vendet e rajonit po bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Gruevski, i cili u ka dërguar edhe një mesazh liderëve rajonalë.

“Udhëheqësit e vendeve të Evropës juglindore duhet të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në deklaratat që bëjnë, sepse qytetarët i ndjekin ato dhe disa prej tyre mund të krijojnë ndjesi negative tek ata, ndjeci të cilat mund të jenë të vështira për t’u zgjidhur”, ka vijuar Gruevski.

Më tej ai ka shprehur vullnetin që Maqedonia të jetë pjesë e projekteve rajonale, por që të realizohen këto, ka nënvizuar ai, duhet të zgjidhen më parë kontestet.

“Për ne është e rëndësishme që sa më parë të nisim negociatat me BE-në dhe shembujt e Sllovenisë dhe Kroacisë mund të jenë të mirë edhe për ne, edhe për Greqinë për të zgjidhur problemet bilaterale”, ka shtuar Gruevski.

Në përfundim të fjalimeve, ku nuk kanë munguar edhe ato të kryeministrave të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kryeministri Rama ka përsëritur apelin drejtuar BE-së, se vonimi i procesit të integrimit do të ishte i padobishëm si për rajonin, ashtu edhe për Unionin.

“Ballkani ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin. Integrimi duhet t’i interesojë Evropës po aq sa na intereson neve, në mënyrë që të mos gjendemi të papërgatitur për situata si ajo në Ukrainë”, ka thënë Rama /top-channel/