Xhevahir Spahiu: Një udhëtim në jetën e një prej përfaqësuesve më të mirë të poezisë shqipe.

Xhevahir Spahiu/ Në 70-vjetorin e lindjes/ Një udhëtim në jetën e një prej përfaqësuesve më të mirë të poezisë shqipe të këtij shekulli. Më shumë se 40 vjet krijimtari, Spahiu vazhdon të shkruajë duke besuar në gjuhën e vargjeve. Dje u prezantuan dhe dy vëllime të përzgjedhura nga krijimtaria  e tij, shoqëruar me shënime të autorit. Historia e poezisë “Jetë”, e cila u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”, ku gjejmë këtë shënim: “Më 9 janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit, e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi poetin ta tërheqë dorëshkrimin e librit “Bota ku eci”, i cili u botua pas pesë vjetësh, i plotësuar pa poezinë në fjalë”.
“Të mbaj në duar, dashuria ime/ Krijesë prej qelqi/ me shkëndijime yjesh/ Kam frikë/Kam frikë se mos më bie dhe/ thyhesh”. I veshur me pardesynë e bardhë, syzet që i dalloheshin në portretin që e jep imtësisht atë lidhjen e tij të thellë me letrat, e shihje gjithnjë me një libër në dorë në barin e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kjo godinë që deri pak muaj më parë ishte shndërruar në Ministrinë e Kulturës, mban një pjesë të mirë të jetës jo vetëm të Xhevahir Spahiut, por të një plejade të tërë shkrimtarësh dhe poetësh që krijimtarinë e tyre nisën ta shkruanin pas viteve ’60. Pas viteve ’90-të, bari në oborrin e kësaj godine nuk e kishte humbur ende atë ankthin e së shkuarës. Ndërtesa nga jashtë të jepte të njëjtën ndjesi që u kishte thënë për gati gjysmëshekulli shkrimtarëve dhe artistëve, që e shihnin atë si tempullin që do të certifikonte përgjithmonë krijimtarinë e tyre. Në bar, bisedat e së shkuarës vazhdonin të ndiheshin nga një tavolinë në tjetrën, përplasje miqsh, inate të vjetra dhe dëshirë për ta pushtuar atë godinë që dalëngadalë po shuhej përgjithmonë.
Në këtë atmosferë dualizimi me të shkuarën, poeti shfaqej i heshtur, me poezitë e tij gjithnjë në xhep, dhe pasionin për të mbështetur çdo të ri që donte të ecte në rrugën e letrave. Poeti e dinte se gjithë ajo histori, që shpesh mund ta kishte trazuar brenda asaj ndërtese do të mbetej përgjithmonë tek ai, si pjesë e një rrugëtimi historik, që ai bashkë me të tjerë bënë në letrat shqipe para viteve ’90. Xhevahir Spahiu ngjiti shkallët e ish-Lidhjes për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i saj në vitin 1993, gati 23 vjet pas botimit të librit të tij të parë me poezi “Mëngjes sirenash”. Të qenët i talentuar, dhe një poet lirik do t’i kushtonte jo pak djaloshit të ri nga Skrapari, të cilit do t’i hiqej disa herë e drejta e botimit, për frymë antikonformiste. Pas botimit të vëllimit të dytë me poezi “Ti qytet i dashur” më vitin 1973, ai nuk do të botonte për katër vjet rresht, për t’u rikthyer me një libër metaforik si “Vdekja e perëndive” më 1977. Të trazuara do të ishin dhe fillimi i viteve ’90-të për Spahiun, që vazhdonte ta shihte poezinë të shkëputur nga sistemi. Ai donte të shkruante atë ndjenjë që endej brenda tij, sa herë vesa e mëngjesit, apo mbrëmja i kujtonte një orë të bukur lumturie. Pas përfundimit të studimeve për letërsi, ai nis punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, por shpirti antikonformist i poetit do ta bënte të jetonte shumë pak në një punë të tillë. Pas ndërtesës së “Zërit të Popullit” atë e pret puna në minierën e Valiasit. E njëjta gjë ndodh dhe me rikthimin sërish në Tiranë për të punuar në revistën “Nëntori”. Vetëm pak kohë më pas e heqin sërish për ta çuar mësues të thjeshtë në shkollat e natës. Poeti nuk po mundte ta kuptonte fijen e hollë që ndante vargjet e tij nga ideologjia. Dhe kur këtë të fundit përpiqej ta fuste në to, sërish poezitë ishin tepër të ndjera. Ai u kthye në një model të të pabindurit ndaj sistemit, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij gjithnjë në ndryshim. Por kjo nuk e ndali penën e tij. Ndaj kur pas viteve ’90, ai u emërua si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve e deshi këtë punë po aq sa vargjet. Nga Valiasi ai e kishte parë gjithnjë Lidhjen si tempullin e vërtetë të vargjeve. Dhe e tillë ishte ajo në sistemin e kaluar, pavarësisht kontekstit politik mbi të cilin funksiononte. Në vitin 1998 Spahiu do të ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, detyrë që e mbajti deri në vitin 2001, viti i cili shënoi dhe rrugën drejt një rënie përfundimtare të rolit të këtij institucioni, që do të ndodhte disa vite më vonë. Gjatë kohës në krye të Lidhjes, ai u përpoq të mbante në të njëjtin standard gazetën historike letrare në vend “Drita”. Me një politikë më të hapur ndaj krijuesve që për vite me radhë u ishte mohuar botimi në këtë organ, Spahiu krijoi një model tjetër të “Dritës”. Në vitin 2002, Spahiu punoi si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, më vitin 2003-2006 do të ishte këshilltar i jashtëm për kulturën i Presidentit të Republikës. Prej vitit 2005 do të ishte anëtar i Akademisë së Shkencave. Të qenët i ndjeshëm ndaj çështjeve politike shoqërore që po kalonte vendi, Spahiu ofroi kontributin e tij në çështjet e kulturës, çështje që i njihte aq mirë. Por poezia, ishte ajo që ecte gjithnjë bri tij, për t’u shndërruar në varg sapo merrte stilolapsin dhe shkruante mbi letër. Në vitin 2005 ai botoi përmbledhjen poetike “Udha”. Vargje po aq të ndjera sa vite më parë, duke ruajtur atë kontinuitetin e një poeti të pandryshuar. Me një karrierë gati 40-vjeçare në letrat shqipe, Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që i kanë ardhur vendit në fund të këtij shekulli. Me jetën e thjeshtë që çdo artist ka në këtë vend, ai qëndroi gjithnjë modest përballë asaj çfarë vërtet përfaqësonte. “Eja të vdesim, e dashur/ shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti/ a s’e dëgjove në TV si kryelajm?/ Eja të vdesim/ e dashur/ s’ka rëndësi në rron si rob a zot/ arkivoli është gati/ dy metra vend gjithashtu/ makinë e funeralit/ kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu/ Eja të vdesim, e dashur/ ç’na duhet kjo jetë/e rëndësishme është të vdesësh si zotni/ mbylle TV-në/ të vdesim qysh tani”, shkruan ai në një poezi të viteve të fundit. Vargje ku ndihet shqetësimi i tij për brerjen morale të shoqërisë vitet e fundit. “Do të vdes/ do të vdes i mbytur në borxhe/ s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit/ I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin/ i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën/ i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën/ i kam borxhe krimit që s’i vura emër/ Do të vdes…”, shkruante ai në një tjetër poezi vitet e fundit. Përmes vargjeve, poetët parandiejnë të ardhmen dhe nëse lexon vargjet e Spahiut duket sikur ai ka parandier një përballje të fortë mes tij dhe vdekjes, përballje që duket se e ka fituar. Disa vite më parë, ai kaloi një periudhë të vështirë me shëndetin. Kjo gjë e ka bërë më të heshtur, por nuk ka mundur ta largojë nga e shkruara, ajo që gjithnjë ka dashur më shumë. Dje ishte 70-vjetori i lindjes së tij. Një përvjetor i rëndësishëm për letrat shqipe, që nuk mjaftojnë disa shkrime për të vlerësuar kontributin e tij në historinë tonë letrare. “Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë te poezia ime. Nëse kam bërë diçka, nëse nga dhjetë marrëzira, që thotë njeriu brenda ditës, kam thënë një fjalë të mirë, kjo nuk është pak, ka të tjerë që mendojnë apo pandehin se nga dhjetë fjalë që thonë, njëzet i kanë të përndritura”, do të shprehej poeti në një intervistë disa vite më parë. Dje “Poeteka” e kujtoi përmes një mbrëmje në Teatrin e Metropolit poetin, po kështu dhe Akademia e Shkencave. Bashkë me orën me poezi kushtuar poetit, u prezantua dhe 50 vjet krijimtari e tij e përzgjedhur në dy vëllime. Dy librat janë quajtur “UDHA I” dhe “UDHA II”, dhe janë botim i plotësuar me krijimtari të re, me shënime të rëndësishme bibliofilike për jetëshkrimin e autorit dhe fatin e veprës së tij, të tilla si ai që lidhet me poezinë “Jetë”, e cila u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”, ku gjejmë këtë shënim: “Më 9 janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit, e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi poetin ta tërheqë dorëshkrimin e librit -“Bota ku eci” – i cili u botua pas pesë vjetësh, i plotësuar pa poezinë në fjalë”. Një ndër shënimet me interes është edhe ai që bën fjalë për vëllimin poetik “Zgjimi i thellësive”, të cilit iu ndalua shpërndarja, u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Të tilla shënime nuk janë dokumente për të plotësuar kujtesën apo kërshërinë e lexuesit, por vihen gjithashtu në shërbim të një historiografie më të vëmendshme në interpretime ndaj fakteve letrare. Mbajtja e shënimeve ka qenë një ves i bukur për poetin, po aq sa dhe hedhja në letër e vargjeve. Sot ato janë dëshmi e një kohe që poeti me shpirtin e tillë s’mund ta gjykojë, por thjesht na lë ta vëzhgojmë me gjuhën e shënimeve. Pas viteve ’90 poezia e Spahiut është botuar në gjuhë të ndryshme. Në tetor 2011, në Francë u përurua poezia e Xhevahir Spahiut me vëllimin “Lëshoje drerin, Artemidë”. Spahiu mban urdhrin “Mjeshtër i madh” dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005; Urdhri “Naim Frashëri” klasi II, 1982, Medalja “Naim Frashëri”, 1972 Medalja e Punës, 1974.