Xhamia më e vjetër në Podujevë po shkatërrohet

Dikur mbante epitetin e xhamisë më të madhe në Podujevë, por tash e sa kohë është lënë në harresë dhe në pluhur. Është kjo Xhamia e Herticës, e cila besohet se është ndërtuar rreth 200 vjet më parë. Sipas banorëve të këtij fshati, në këtë xhami namaz kanë kryer edhe ushtarët turq, shkruan Gazeta Express.

Xhemati i gjashtë fshatrave të Komunës së Podujevës për dekada të tëra kreu namazin e Bajramit në Xhaminë e Vjetër të Herticës. Por, qe disa vite, aty nuk ka shkelur këmbë njeriu për të kryer namaz.

Loading...

Krejt çka ka mbetur në të janë muret, tepihët dhe simbolet fetare të mbuluara nga pluhuri e dheu, si dëshmi se aty me vite të tëra janë kryer rituale fetare.

Ndonëse është xhamia më e vjetër në Podujevë, tash e sa kohë ka mbetur pa përkujdesje e pa xhemat, pasi që është ndërtuar e reja.

Bajram Haxhiu, banor i këtij fshati, thotë se data e saktë e ndërtimit të kësaj xhamie nuk dihet, mirëpo besohet se është ndërtuar rreth 200 vjet më parë.

Haxhiu thotë se kjo xhami është ndër më të vjetrat në Llap. Derisa shton se në të, namaz kanë kryer edhe ushtarë turq dhe banorët e gjashtë fshatrave të Podujevës.

E se kjo xhami është shumë e vjetër, vërehet edhe nga fotografitë e vizatimet në të.

“Është ndër xhamitë më të vjetra në Llap. Dy herë është renovuar. Në këtë xhami më herët janë falur edhe ushtarë turq, dhe banorët e Rakinicës, Turiqicës, Shajkovcit, Ballovcit dhe Shamallakut se nuk ka pasur të tjera xhami në atë kohë”, thotë Haxhiu.

Haxhiu shpjegon se deri para 10 viteve, aq shumë banorë shkonin në këtë xhami, saqë nuk i zinte objekti. Shumica e tyre deklaron se kryenin namazin në oborr të xhamisë.

Por, me kalimin e viteve, numri i banorëve të fshatit po shkon duke u ulur, e me këtë edhe numri i xhematit.

Prej 350 shtëpive sa kishte fshati në atë kohë, thotë se tani nuk kanë mbetur as 100 shtëpi. Tani, xhamia e re e ndërtuar në këtë fshat, thotë se rrallë mbushet plot.

“Katuni në atë kohë i ka pasur 350 shtëpi. Tash janë rreth 100 shtëpi, pasi që shumica kanë dalë në qytet. Deri para 10 viteve krejt janë falë në atë xhami, për shkak se xhamia e vjetër nuk ka mundur të rinovohet më, është ndërtuar xhamia e re. Në këtë xhami kanë qenë gjashtë imamë. Kjo xhami është shfrytëzuar deri pas luftës”, shpjegon Haxhiu.

Por, ndonëse dikur ishte objekti më me nam në atë fshat e nxori shumë hoxhallarë, tani ka mbetur pa përkujdesje. Në secilën hapësirë të këtij objekti vërehet dheu, e dëmtimet në mure. Edhe pse e dëmtuar, bukurinë ia shtojnë vizatimet e shumta e fotografitë që gjenden në të.

Ndryshe, në tërë Kosovën janë rreth 800 xhami të tjera, ku besimtarët myslimanë mund t’i kryejnë ritet fetare. Këto objekte fetare datojnë që nga viti 1289, kur edhe është ndërtuar xhamia e parë, ajo e Mlikës e cila gjendet në Komunën e Dragashit.

Por, si faltorja e parë për myslimanët në Kosovë zyrtarisht njihet “Xhamia e Çarshisë” në Prishtinë, për ndërtimin e së cilës janë nevojitur 51 vjet.

“Xhamia më e vjetër në Kosovë llogaritet të jetë xhamia e Mlikës, viti i ndërtimit 1289, në komunën e Dragashit, ndërkohë që me dokumentacione zyrtare, xhamia e Çarshisë në Prishtinë, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 1389 kurse ka përfunduar ne vitin 1440. Xhami të reja kemi nga ato që po ndërtohen çdo vit nëpër vendbanime të ndryshme nëpër Kosovë”, kishin thënë në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Ndërtimi i xhamive të reja, sipas zyrtarëve të BIK-ut, është bërë me kontributin e vetë qytetarëve të besimit islam të Kosovës, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe Arabia Saudite.

Ndërkohë, shumë prej xhamive janë edhe nën mbrojte të shtetit. Janë gjithsej 119 në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, listë kjo që përfshin gjithsej 1 mijë e 567 asete të trashëgimisë kulturore në tërë vendin.

E periudha për të cilën këto objekte fetare janë nën mbrojtjen e shtetit është prej tetorit të vitit të kaluar, e deri në tetor të 2018-s.

“Asetet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përkohshme do të jenë nën mbrojtjen për një vit, gjegjësisht për periudhën 10.10.2017-10.10.2018”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. /Gazeta Express