Trajneri i Feronikelit, Dejan Vukicevic, ka komentuar ndeshjen e sotme, që do të zhvillohet mes Dukagjinit dhe Feronikelit, duke e cilësuar si takim tejet të vështirë, përkundër faktit që skuadra nikoqire nuk e ka filluar sezonin në mënyrën më të mirë.

Vukicevic për faqen zyrtare të klubit tha që Dukagjini luan më mirë sesa që është në renditjen tabelore, sidoqoftë Feronikeli udhëton në Klinë për të arkëtuar tri pikë të plota, përcjellë GazetaBlic.

“Është ndeshje tejet e rëndësishme, nuk duhet të na mashtrojë renditja tabelore pasi që Dukagjini luan më mirë sesa që tregon tabela. Sidoqoftë ne udhëtojmë për fitore dhe mendoj që ekipi është i koncentruar dhe i përgatitur që të arkëtojë pikët e plota. Fitorja është e rëndësishme pasi që do të i gëzonte edhe tifozët”, tha fillimisht trajneri i Feronikelit.

“Mendoj që me një fitore sot, do të kishte më shumë kuptim fitorja ndaj Flamurtarit, pasi që si synim i yni është të arrijmë sa më shumë seri pozitive në secilin takim, kjo na ndihmon që të arrijmë objektivat që kemi si klub”, përfundoi trajneri, Vukicevic.

Feronikeli dhe Dukagjini takohen sot (e diel), në stadiumin “18 Qershori”, në Klinë, me fillim prej orës 15:00.

No tags for this post.