Vuçiqit i del zot ‘vëllai’ nga Bosnja, tenton ta frikësoj Kosovën me trazira

Kryetari i Republikës Serbe, Milorad Dodik e ka quajtur të papranueshme vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës rreth vendosjes së taksës 100% për gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas tij, ky veprim do të ketë efekt negative dhe ekziston mundësia që të qoj edhe në trazira në gjithë rajonin.

Loading...

“Ky vendim padyshim se shkelë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare brenda CEFTA dhe në lidhje me tregtinë e lirë. Është krejtësisht e papranueshme”, u shpreh ai për mediat beogradase, transmeton Indeksonline

Ndryshe, Kosova sanksionet ekonomike ndaj Serbisë i vendosi si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së Serbisë rreth pengimit të anëtarësimit në organizatën policore, Interpol.

Vlen të theksohet se kryeministri Haradinaj ka konfirmuar se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk do të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Unë mendoj se masat që kemi vendosur ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përheshme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet ta heqim” ka deklaruar Haradinaj.

Kësisoj, ai u ka bërë thirrje të mos ketë tërheqje ndaj këtij vendimi edhe përkundër faktit se mund të ketë siç tha “ lutje, përkrahje apo këshilla si kundërvlerë për këto masa”.

Kurse, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka takuar gjatë ditës së sotme ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, si dhe ambasadorët e vendeve të “Quint”-it në Beograd, pas vendimit për rritjen e taksave nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, nga 10 në 100%.

Vuçiç kërkoi që kjo taksë të hiqet. “Ne po presim që pala tjetër të kryejë punët e saj dhe të vendoset në anën e civilizimit. Kur ta bëjnë këtë, dialogu do të vazhdojë menjëherë. Ju kërkoj të tërhiqni vendimin tuaj. Ne duhet të ulemi dhe të biem dakord për një marrëveshje dhe kompromis. Ju duhet të negocioni me ne. Amerikanët, ose kushdo tjetër nuk do t’iu ndihmojë”, u shpreh Vuçiç. /Indeksonline/