Vizita e Thaçit, lajm i rëndësishëm në mediet Gjermane

Vizita e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në Berlin është përcjellë me vëmendje të madhe nga mediet e shtetit gjerman.
Vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në Berlin është përcjellë me vëmendje të madhe nga mediet e shtetit gjerman, ku Thaçi është pritur në takim zyrtar nga homologu i tij Frank-Walter Steinmeier.
N-TV, Die Welt, Zeit, Focus, Deutsche Welle etj., kanë raportuar për vizitën zyrtare të zëvendëskryeministrit Thaçi, duke e vënë në theks të veçantë përkushtimin e tij për reformat ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës me qëllim të pengimit të migrimit ilegal.
Mediet gjermane kanë raportuar se Kosova dhe Gjermania së bashku do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa kanë cituar zëvendëskryeministrin Thaçi të ketë thënë “se jemi të angazhuar që të sigurojmë vende pune, që njerëzit të kenë të tashme dhe të ardhme të mirë në Kosovë”.
Mediet gjermane gjithashtu kanë përcjellë edhe kërkesën e zëvendëskryeministrit Thaçi për lehtësim për marrjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për progresin në drejtimin e integrimit të vendit drejt BE-së. Ndërsa, kanë njoftuar edhe për qëndrimin e shtetit gjerman dhe përkushtimin e tij që ka vënë një milion euro në dispozicion për t’i ndihmuar të kthyerit.
Mediet e atjeshme citojnë ministrin Steinmeir të ketë deklaruar se “për këdo që nuk përndiqet për arsye politike, kërkesa për azil në Gjermani nuk rezulton me leje të përhershme qëndrimi, por me kthimin në Kosovë. Nuk duhet të zgjohen shpresa, që nuk mund të realizohen”.
Ato kanë bërë me dije për përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil nga refugjatët e Kosovës në afat kohor prej dy javësh./Rtklive/