Vizat, sfida e pakalueshme e Kosovës

Ndryshe nga qeveritë e kaluara, Qeveria “Mustafa” nuk është lëshuar në parashikimin e datave se kur Kosova do të mundë të marrë liberalizimin e vizave.
Në programin qeverisës 2015 – 2018, i cili është në pritje për të kaluar në Kuvendin e Kosovës, thuhet se “Qeveria e Kosovës do t’i shfrytëzojë të gjitha resurset në dispozicion për të lobuar tek shtetet e Zonës Schengen, për të siguruar përkrahjen e tyre që ky proces të përfundohet me sukses”, shkruan “Zëri”.
Por, po kjo Qeveri, e udhëhequr nga Isa Mustafa, të njëjtën kohë ka lëshuar një varg kritikash në drejtim të Bashkimit Evropian, duke e konsideruar si të padrejtë qasjen e tyre ndaj Kosovës.
Jo më shumë se para pak ditësh në një postim në “Facebook”, kryeministri Mustafa tha se qytetarët e Kosovës nga humbja e shpresës, jo vetëm që po ia mësyjnë Perëndimit, por nganjëherë po ia mësyjnë edhe Lindjes. /Zëri/