Vetëvendosje për ‘rastin Maxhuni’ kërkon dorëheqje morale e shkarkime

Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqje morale apo shkarkime të drejtuesve të institucioneve pas rastit të ndalimit të familjarëve të shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, në veturën e të cilëve u gjetën armë e drogë e për të cilin rast raportoi “Koha Ditore”.

Loading...

Në një konferencë për shtyp, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, kërkoi Vetting për institucionet e sigurisë.

“Kosova ka nevojë jo për reforma në drejtësi, ka nevojë për reforma d.m.th. Vetting në institucionet e sigurisë, Kosova ka nevojë për reforma në AKI dhe Vetting në Polici”, tha Selimi, raporton Kallxo.com.

“Dorëheqja morale apo shkarkimi nga këto institucione do të bënte fillimin e reformave”, shtoi deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.

“Rastet si i djeshmi, ku djali i shefit të AKI-së kapet me drogë dhe armë nuk është rasti i parë, pasi i kemi parë disa herë, dëshmon se është pasojë e kapjes së shtetit”, tha Selimi.

“Këto gjëra po ndodhin për shkak të kapjes së shtetit nga krerët kryesorë. Emërimet e zyrtarëve shtetërorë si në siguri dhe drejtësi janë duke e dëshmuar këtë dhe po e përdorin si tortë të shtetit, duke u dakorduar se cili ta mbajë në kontroll AKI-në, cili drejtorinë e përgjithshme apo Prokurorinë e Shtetit madje edhe më thellë”, shtoi ai.

Këto komente deputeti Rexhep Selimi i bëri pas rastit të raportuar dje në media, sipas të cilit, djali i shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është pjesë e një kallëzimi penal pasi dyshohet për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.