Vetëvendosje: Gjyqësia dhe prokurori janë marr peng

Lëvizja Vetëvendosje! me vëmendje po i përcjellë zhvillimet e fundit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Këto zhvillime janë pjesë e tërësisë për atë që quajmë përleshje të bandave institucionale për kapjen e shtetit.
Klanet që tashmë haptazi veprojnë në Këshillin Prokurorial të Kosovës sipas Vetëvendosjes kanë thënë akuza dhe kundërakuza për njëri-tjetrin në kundërshtim të plotë me seriozitetin dhe profesionalizmin që duhet të gëzonte ky organ, marrë parasysh që pikërisht nga ky Këshill priten betejat kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe zbardhjes së veprave të tjera penale.
Prej vitit 2014 kohë kur Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë jashtë kompetencave të saj, procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit duke marrë rolin e gjykatave të rregullta u pa qartë se ky nuk qe më një proces sipas kërkesave ligjore dhe rregullave të brendshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Vetëvendosje konsideron se ky proces ishte shndërruar në një konkurrim brenda bandave dhe grupeve që e kanë kapur sistemin prokurorial të Kosovës. Madje këtë e shprehën edhe disa nga anëtarët e Këshillit gjatë përplasjeve për kapjen e re të Prokurorisë së Shtetit.
Mbetet ende për t’u kuptuar se pse janë tërhequr në të njëjtën kohë pesë kandidatët nga gara për Kryeprokuror. Tërheqja e tyre plotësisht e pazakontë është bërë praktikisht në të njëjtën orë dhe ditë fakt i cili lë hapësirë për dyshimin se qëllimi ka qenë zvarritja e zgjedhjes së Kryeprokurorit.
Po kaq shqetësues sipas Vetëvendosjes mbetet fakti se për kandidatin e vetëm të mbetur në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit përflitej para votimit në mes anëtarëve të Këshillit si i përzgjedhuri nga “ndërkombëtarët”.
Në njërën anë i propozuari nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është dërguar për emërim nga Presidentja për postin e Kryeprokurorit e në anën tjetër Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë turrur ta shqyrtojnë sërish procesin.
Është tashmë e qartë se kjo përplasje krahas asaj brenda vetë Këshillit prokurorial është reflektim i përplasjeve të klaneve partiake e mafioze për të zotëruar kontroll të Kryeprokurorit. Kjo për ta është dhe mënyra më efikase që dosjet e krimit mos të hapen dhe që dosje të reja mos të fillojnë.
Vetëvendosje vlerëson se njëra fytyrë shpërfaqë luftën në mes të mediumeve të afërta me eksponent të caktuar të PDK-së kundër bizneseve të afërta me tjetrin krah politik të po këtij subjekti dhe fytyra tjetër është Enver Hasani si aparatçik i krahut të Kadri Veselit kundrejt Aleksandër Lumezit i lidhur me diagonalen Hajredin Kuçi – Hashim Thaçi.
Ndërkaq LDK-ja me ndikimin e saj përmes një klanit të vet në Këshillin Prokurorial të Kosovës duke qenë të pafuqishëm për të bërë atë që e ka bërë PDK-ja për gjithë këto vite dhe vazhdon ta bëjë tenton që në ndërhyrje të bëjë aleancë me atë që e fiton në këtë përplasje mafiozësh.
“Gjithçka bëhet e qartë më së miri nga skandali i fundit i zbuluar nga Avokati i Popullit lidhur me rastin e falsifikimit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe Gjyqtarja Arta Rama – Hajrizi të prezencës së gjyqtarit amerikan Robert Carolan në Aktvendimin ku hidhej poshtë kërkesa e Avokatit të Popullit për ta cilësuar antikushtetuese zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në këtë gjykatë.”
“Heshtja e Kryetarit të Kushtetueses dhe e gjyqtares për këtë kohë dhe dalja në pah e këtij skandali me deklarimin personal të gjyqtarit Robert Carolan, në fakt është struktura origjinale e sistemit të drejtësisë në Kosovë – Falsifikim – Agjendë partiake – Porosi nga “jashtë”, thekson Vetëvendosje.