Veteranët nderojnë mjekun e Drenicës për ndihmën gjatë luftës |Foto

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) Hysni Gucati dhe Sekretari i kësaj organizate, Faton Klinaku, nderuan sot me Mirënjohje për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare dhe vetëmohimin e jashtëzakonshëm në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Shëndetësisë, krerët e OVL të UÇK-së shprehën gjithashtu falënderimin e tyre për angazhimin e Sekretarit Bardiqi për të ndihmuar anëtarët e kësaj organizate në kuadër të ofrimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Nga ana e tij, Sekretari është shprehur falënderues për mirënjohjen e ndarë dhe ka theksuar se për të ka qenë obligim t’i shërbëjë vendit në ditët më të vështira të historisë së tij.

Gjatë vizitës në Ministri të Shëndetësisë, krerët e OVL të UÇK-së i ka takuar edhe Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili i ka njoftuar ata për angazhimet e Ministrisë për sigurimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe të sigurta për veteranët e luftës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.