‘Veteranët e rrejshëm’, Prokuroria Speciale gati për ta dorëzuar aktakuzën në Gjykatë

Një javë para se të përfundojë afati kohor, i caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka gati aktakuzën e njohur si rasti i “Veteranëve”, pjesë e së cilës janë 12 ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, të cilët akuzohen për manipulime me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Loading...

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka gati aktakuzën për rastin e njohur si “Veteranët” ndaj 12 ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Zyrtarë të kësaj Prokurorie pohojnë se kjo aktakuzë është përgatitur sipas vërejtjeve dhe plotësimeve që kishte kërkuar Gjykata Themelore në Prishtinë. Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, i ka thënë gazetës “Zëri” se Prokuroria do t’i përmbahet afatit të dytë që ka caktuar Gjykata për përfundimin e kësaj aktakuze.

Ai ka shtuar se brenda afatit aktakuza do të dorëzohet në Gjykatë.