Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës arrestoi pesë persona të dyshuar për fajde. Njëri nga të arrestuarit ishte Ilir Bojku.

Menjëherë pas arrestimit të tyre, u shpërnda një fotografi e Ilir Bojkut me kryetarin e Skenderajit, Bekim Jashari dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Rreth kësaj fotografije reagoi Jashari duke thënë se nuk ka lidhje me Bojkun dhe se në fotografi kishte dal pasi ai ia kishte kërkuar.

Lladrovci tha se Bojkun e njeh dhe se me të e ka lidhur sporti, Trepça dhe Bayern Munchen.

“Po, e njoh Ilir Bojkun, me të më ka lidh sporti dhe dashamirësia e sportit. Trepça normalisht dhe Bajerni i Munihut. Njohja ime ka të bëj me të sepse ka qenë mikpritës sa herë është zhvilluar ndeshje në Mitrovicë, ka qenë aktiv dhe dashamirës i sportit.”, tha fillimisht kryetari i Drenasit.

Tutje, Lladrovci tha se përtej sportit nuk ka asnjë njohuri me të dhe se ka pasur vetëm raporte miqësore të lidhura me sportin.

“Asnjë njohuri tjetër për të nuk e kam, as me çka merret as me ato që dolën në media për çka supozohet se është nën hetime. Pra, kam pasur raporte miqësore të lidhura me sport, më shumë jo.”, tha ai për Indeksonline.