Veseli thotë se BE dhe SHBA s’e presin Kosovën, paralajmëron ndarjen e Shtetit nëse s’ka unitet politik

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në një adresim të tij për qytetarët, ka deklaruar se status-quo lidhur me Dialogun është duke e dëmtuar Kosovën dhe se kjo gjendje është e papranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Loading...

Në një video të postuar në profilin e tij në Facebook, Veseli ka thënë se mungesa e unitetit po e rrezikon Kosovën në këtë proces.“Kemi ardhur në një moment kur dallimet tona të brendshme rrezikojnë seriozisht vendin tonë në këtë proces, duke e fuqizuar Serbinë në arenën ndërkombëtare dhe duke e dobësuar Kosovën. Këtë, ne nuk duhet ta lejojmë”, është shprehur Veseli.

Ai ka tërhequr vërejtjen se SHBA dhe BE nuk do të presin pafundësisht, për shkak të dallimeve dhe kalkulimeve të brendshme politike.

“Me asnjë çmim, nuk duhet të lejojmë që t’i humbim partnerët tanë ndërkombëtarë, me të cilët kemi ardhur bashkë deri këtu. Nuk duhet të lejojmë që agjendat e brendshme ta dominojnë agjendën shtetërore. Në të kundërtën, mungesa e unitetit dhe kriza potenciale e besimit – e ndan Kosovën më shumë përbrenda sesa rreziku nga jashtë. Prandaj, rreziku i ndarjes përbrenda – rëndon dhe rrezikon ndarjen edhe nga jashtë”, ka thënë Veseli.

Më tutje, në adresimin e tij, Veseli ka thënë se koha është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe ajo nuk duhet të nënçmohet. Ai ka kërkuar që urgjentisht të adresohen çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, duke treguar maturi dhe përgjegjësi shtetërore.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të kemi besim në vete dhe në shtetin tonë. Në Dialog me Serbinë shkojmë si shtet i pavarur dhe sovran dhe me integritet territorial të paprekshëm, për njohjen, ulësen në OKB dhe anëtarësim në NATO e BE, për paqe dhe stabilitet, për integrim të komuniteteve, e jo për ndarje, jo për pushtet të tretë, jo për Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar Veseli.

Veseli ka përsëritur se qëndrimet e Kosovës në Dialog janë të qarta dhe të palëkundura dhe si të tilla ato duhet që urgjentisht ta bashkojnë pozitën dhe opozitën në platformë dhe ekip.