Në Konventën e 9-të të PDK’së ka ndodhur ajo që është ditur qysh nga fillimi. Kadri Veseli është rizgjedhur në krye të kësaj partie me shumicë votash, pasi që nuk kishte asnjë kundër kandidat.

E në fjalën e tij si kryetar i rizgjedhur i partisë, Veseli ka thënë se kjo konventë e PDK’së është shembull i demokracisë edhe për partitë tjera opozitare në Kosovë, duke lënë të kuptohet se e ka fjalën për LDK’në e Isa Mustafës, parti kjo e cila po përballet me probleme pothuajse nëpër çdo nëndegë.

“Kjo do të jetë politika dhe vizioni jonë. Përgjegjësi bashkërisht, të ecim në këtë formë e ti tregojmë edhe botës si ecë Kosova. Por edhe kolegëve opozitarë t’iu japim shembull. Jemi një shembull tipik i Demokracisë”, ka thënë Veseli në fjalën e tij, shkruan Gazeta Express.

Ndër të tjera Veseli ka thënë se e di që tashmë partia e tij pret përgjegjësi nga kryetari i ri, dhe shpreson që detyrën e marrë ta kthej me punë dhe përgjegjësi për Kosovën.

“Natyrisht se ky është moment nderi dhe kreanarie, jo vetëm për mua por edhe për PDK.Dhasht Zoti ia kthejmë me punë dhe përgjegjësi, Kosovës tonë dhe qytetarëve tanë. Delegatë të nderuar ju sot më keni bërë një nder. Dhe unë e di që kërkoni përgjegjësi prej meje”, është shprehur Veseli.

Kreu i PDK’së para delegatëve të partsië, u zotua se nuk do të lejojë të ndodh asgjë që nuk është në interes të Kosovës.

“Kërkoni që në PDK të mos ketë dilema dhe paqartësi, të mos ketë abuzime, por të ketë drejtim të qartë për vendin dhe kombin, që të ecim përpara. Të gjithë kemi paguar shumë për të ardhë deri këtu, familjet tona e qytetarët e Kosovës. Ne nuk duhet lejojmë që të ketë dilema, pas dy dekadash, se a do ta fitojmë edhe lirinë, zhvillimin të ardhmen tonë. Nuk do të lejojë atë që nuk është në interes të Kosovës, nuk do të lejoj askënd që të na pengojë nga procesi për të ecur përpara”, shton ai.

Në fund Veseli u zotua se do të përpiqet të qoj në fund amanetin e të rënëve për Kosovën.

“Ka vetëm një rrugë, rruga e përgjegjësisë. Në këto vlera do të punojmë bashkarisht, do të jem i pakompromis që bashkë ta qojmë aty ku duhet amanaetin e atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës”, shprehet Kadri Veseli./GazetaExpress/