Veseli: Në kullën e Isa Boletinit, i ka rrënjët liria jonë kombëtare

Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, nga Vlora në Boletin, nga Presheva në Ulqin, nga Shkupi në Shkodër, na bashkon nderimi për të parët tanë, na bashkon nderimi për të gjithë ata burra e gra që edhe në ditët më të vështira mbajtën gjallë idenë e kombit dhe bënë gjithçka mundën për lirinë e tij.

Loading...

Kështu tha sot në Boletin të Mitrovicës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nën patronatin e të cilit, për nder të Festës së 28 Nëntorit, po bëhen homazhe dhe nderime te Kulla e Isa Boletinit.

Kreu i Kuvendit tha se e gjithë jeta e Isa Boletinit, sublimon përpjekjet e vazhdueshme të kombit tonë për liri dhe dinjitet.

“Çdo 28 nëntor ne ngjitemi në këtë kodër historike, sepse këtu, në këto male të Shalës, këtu në konakun e Isa Boletinit, i ka rrënjët liria jonë kombëtare. Isa Boletini ishte njeri i pushkës dhe i fjalës. Ishte shëmbëlltyrë e tolerancës dhe e bashkëjetesës ndëretnike. Për Isa Boletinin patriotizmi nuk nënkuptonte urrejtjen dhe mohimin e të tjerëve që janë ndryshe”, theksoi Veseli.

Isa Boletini, shtoi Veseli, jetoi dhe veproi duke besuar se respekti për veten nënkupton edhe respektin për të tjerët. Ky parim, sipas tij, sot është vlerë për ne, për shtetin tonë dhe mbarë kombin tonë.

“Republika e Kosovës është shtëpia e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike që ata kanë. Komunitetet pakicë janë vlerë e patjetërsueshme e shtetit dhe identitetit tonë si Kosovë. Të drejtat e tyre janë dhe do të mbesin të pandashme nga të drejtat e shumicës”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se kjo na nderon në sy të botës dhe na bën më të sigurt në vizionin evro-atlantik.

Veseli tha se Kosova është një dhe e pandashme, ashtu siç e deshtën Isa Boletini dhe të gjithë dëshmorët e lirisë, siç e deshtën Adem Demaçi dhe Adem Jashari.

“Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Sot dhe përgjithmonë! Ndërsa fqinjësia e mirë është e ardhmja e pashmangshme për të gjithë në rajonin tonë. Urime 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Për jetë e mot qoftë i nderuar kombi ynë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.​