Gazetarja zvicerane, Veronique Pasquier, në shtatorin e vitit 1998 do ta pagëzonte me emrin e saj fëmijën e pestë të familjes Zeka.

Asokohe, fotografi Hazir Reka, e kishte shkrepur fotografinë e përbashkët të dy emnakeve.

Fotografia është ekspozuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bashkë me të tjera që Reka i kishte realizuar në kohën e luftës

Ekspozita me titull “Veronika, njëzet vjet…”, është hapur në kuadër të aktiviteteve të Ambasadës Franceze në Prishtinë, për shënimin e 20-vjetorit të përfundimit të luftës.

Reka, i cili asokohe ishte fotoreporter i agjencisë së lajmeve “Reuters”, sjell të përmbledhura imazhet që dokumentojnë momente të strehimit në malet e Berishës dhe Kishnarekës.

Veronique Pasquier, rrëfen historinë se si emri i saj iu bart vajzës kosovare.

“Kjo fotografi na lidh me tregimin tonë kur kemi qenë në vitin ‘98 në male ku kanë qenë të strehuar shumë njerëz nëpër tenda plastike. Kemi qenë me gazetarë, dhe kemi mbërritur në një vend ku ishte e shtrirë një zonjë dhe me të ishte një foshnje në djep. Gjyshja e foshnjës tha se vajza ishte e bukur si një mollë. Pastaj ne i dhuruam disa të holla, sepse ashtu është edhe tradita e Kosovës dhe shqiptarëve. Kur erdhi babai i foshnjës na luti që ne t’ia vëmë emrin dhe ne ia lamë emrin Veronikë”, ka treguar Pasquier.

Veronika Zeka, vajza nga fshati Likoc i Drenasit, ndan emocionet e saj me rastin e hapjes së ekspozitës.

Lemane Kamberi, e cila asokohe ishte përkthyese e gazetarëve ndërkombëtarë, duke u bazuar në kujtimet e saj, shpalos detaje për periudhën kur Reka i kishte realizuar fotografitë e ekspozuara.

Fotografi Hazir Reka nuk ishte i pranishëm në hapjen e ekspozitës, por bashkëshortja e tij, Nerimane Kamberi, ka folur në emër të tij.

Ekspozitës me fotografi i parapriu konferenca “Kosova, ashtu siç e kanë ëndërruar”.

Image result for Veronika, vajza nga Drenasi që mori emrin e gazetares zvicërane