Vërjani emrin Liridon

Nga Liridon Shala

Letër nga Dr.Hafir Shala gjatë çendrimit të tij në Burgun e Lutogllavës në vitin 1989.
29 korrik 1989, burgu i Lutogllavës, Serbi. Si rëndom ai po qëndronte ulur në qeli, me mendjen tek populli:”A thua vallë t’më ketë kërkuar ndokush sot në shtëpinë time, të jetë paraqitur ndonjë nevojtar dhe i sëmurë në dyert e familjes sime, dhe të ketë kërkuar ndihmën time, e unë të mos jem aty.  Më dhemb që nuk jam pranë popullit tim!” Edhe kur ishte në burg mendja e tij nuk largohej nga populli, e ndjente çdo nevojë të popullit të tij. Zakonisht çdo ditë, në çdo orë, madje edhe në orët e natës, vinin ta kërkonin doktorin për ti dhënë ndihmë të sëmurëve dhe nevojtarëve. Vullneti i tij nuk mungonte asnjëherë. Për ta ishte i gatshëm të qëndronte me ditë të tëra jashtë shtëpisë së tij, vetëm t’u dilte në ndihmë. Lokja (nëna e tij) nuk kishte gjumë deri në orët e mëngjesit. Zakonisht dilte të shikonte se a ishin këpucët e të birit në raftin e këpucëve. Zemra e saj nuk qetësohej deri sa i shihte ato në raft herët në mëngjes. “Ah more Hafir, or biri im, meraku për ty do më mbysë, u shërben popullit edhe në këto orë të natës. Nëna ka mall për ty, dhe të pres çdo natë pa gjumë!” – ishin fjalët që lokja shpesh i thoshte.
 Është Dr. Hafir Shala, mjeku i parë i UCK-së që nga fillet e veprimtarisë së saj, mjeku që i doli në ndihmë popullit të tij në masakrën e Likoshanit më 28 shkurt 1998, në luftën e familjes Jashari ndaj pushtuesit serb, me datë 6-7 dhe 8 mars 1998, dhe ishte mjeku kujdestar në disa sulme të UCK-së ndaj konvojeve serbe. Është ky mjek që ishte pranë popullit kurdo herë. Ai nuk i takonte familjes, i takonte popullit. Gjithë jetën e tij e kaloi në ndihmë popullit. Ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, dhe i burgosur politik në burgjet e Serbisë.
Gjatë qëndrimit të tij në burgun e Lutogllavës, me datë 29 korrik 1989 mori lajmin se i vëllai kishte një djalë. “Vërjani emrin Liridon!”, ishin fjalët që doktori i dërgoi familjes si urim për lindjen e djalit. “Ashtu të e quani. Për lirinë kam pas mall gjithnjë, ashtu kishte dhe Ukshin Hoti, Adem Demaci, me të cilin ishin së bashku në këtë burg, ashtu kemi mall me gjenerata të tëra.” Ah, doktor, ne që sot jemi në liri, për atë që ti aq shumë kontribuove duke dhënë gjithçka, kemi shumë mall për ty.
Doktori kaloi një periudhë të gjatë në burgjet famëkeqe të Serbisë, mirëpo asnjëherë nuk ndalej në rrugën e tij. Ndjente se populli kishte nevojë për të, nuk dëshironte të mungonte në popull, popullit i duhej doktori. Rëndom gjatë netëve të gjata, në rrugët dhe rrugicat e fshatrave të Drenicës ndiheshin kërcitjet e këpucëve të tij. Në dorë mbante çantën me pajisjet e nevojshme për mjekim. Nuk dyshojë që populli ta ketë harruar kontributin e tij. Nuk dyshojë se populli e mbanë mend mirë, dhe me dhimbje e kujton datën 10 prill 1998, kur në orën 8:00 të mëngjesit në fshatin Sllatinë, derisa po shkonte të merrte medikamente për UCK-në në Prishtinë, doktori ishte ndaluar dhe arrestuar nga një xhip i policisë serbe. “Do shkojë vetëm edhe sot të marrë barna, pastaj do vijë këtu të jem me UCK-në.” – ishin fjalët e doktorit një natë para se të nisej për në Prishtinë. Nuk dyshojë se populli e di mirë se kush janë përgjegjësit kryesor për arrestimin e tij, kush ka dorë në këtë rast, dhe nuk dyshojë që populli një ditë do e ngris lartë zërin për fatin e doktorit.
“Është doktor Hafiri në shtëpi, na duhet ndihma e tij?!” – me këtë përballeshin çdo ditë familja e tij. Ai punonte si doktor i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në fshatrat Baicë dhe Krajkovë të komunës së Gllogovcit. Më anë të kësaj e furnizonte edhe UCK-në me barna gjatë gjithë kohës. Ishte përkushtuar tërësisht në luftën e UCK-së, mungonte shumë në familje me ditë të tëra.
 “Ka ndonjë lajm për doktorin, a është gjallë diku?!” – kështu e kërkonin pas luftës populli i tij, nuk mungonin çdo ditë të interesuarit për fatin e tij, ata që doktori u dha mjekim. Të gjithë e kërkonin loken, dëshironin ti jepnin gajret dhe të mbante shpresat për kthimin e birit të saj në shtëpi. “Ah populli im, biri im dha shumë për ju, nuk e kam shijuar një ditë të tërë me të gjatë jetës së tij, ishte në çdo moment pranë jush. Kësaj i kam bërë ballë gjithnjë, mirëpo nuk i bëjë ballë dot dhimbjes për fatin e tij, nuk e di se ku e kam birin tim. Më dhemb fakti se gjatë luftës së UCK-së, një pjesë ishte me shqiptarët, ndërsa dhjetë të tjera ishin me pushtuesin serb!” – Ishin fjalët e lokes që çdo ditë i drejtohej vizitorëve në shtëpinë e saj.
Një proverb arab thotë:”Zemra e nënës që ka djalin e zhdukur nuk fle asnjëherë.” Malli për doktorin e lë pa gjumë loken, ajo nuk mbanë mend të ketë fjetur deri në mëngjes, për të nata nuk ishte për gjumë, ajo mundohej t’i përballonte dhimbjet e mëdha për të birin, e vetmuar në dhomën e saj. Prej vdekjes së burrit të saj, i cili u largua nga kjo dunja me dhimbjen më të madhe për fatin e të birit, ajo dhimbjet i përballonte e vetmuar. Gjatë jetës së saj, i  kishin vdekur 5 fëmijë pas lindjes, mirëpo thotë të mos ketë ndjerë dhe aq dhembje. Mirëpo fati i Hafirit atë po e vret. “Saher n’andërr ti po m’vjen, po m’merr n’gryk o biri jem, sa po za me tye meu cmall’, po m’del gjumi e zemrën ma kall’. E saher menja m’shkon’ tek ti, hija jote përpara m’rri, nese s’je ti gjall’ n’kit’ jet’, boll vec eshnat ti kisha gjet’. Deri sa bir t’mu mshelen syt’, nana s’nalet tue t’lyp’, hala nana man’ ymyd se po kthehesh bir naj dit’.” Janë vargjet e ilahisë së Adem Ramadanit për të pagjeturit, e që lokja shpesh e dëgjon.
Doktor, të jesh diku, përmbi tokë, apo nën dashurinë e tokës, prej së cilës je krijuar nga Krijuesi më i mirë, do doja të ndjeje dashurinë dhe nevojën që kemi për ty. Sot 17 vite pa ty, ne thellësisht e ndiejmë mungesën tënde. Familja ka nevojë për ty, gruaja dhe fëmijët. Djali të pret në pragun e shtëpisë, gruaja në oborr, e lokja çdo natë si gjithë jetën e saj që vepronte, shikon në raftin e këpucëve me shpresën se ti je kthyer në shtëpi.
Doktor, gjaku i luftëtarëve të këtyre tokave, ndër të cilët edhe i mbesës tënde, ka larë tokën e këtij  vendi gjatë luftës. Loti i familjarëve tu, dhe i gjithë popullit, për mungesën tënde, sot e lanë tokën e Kosovës.
Familja e Dr. Hafirit dhe populli, pret shumë nga institucionet e vendit që të bëhet me shumë për fatin e tij. Shpresojmë që të gjithë të njohin kontributin e tij, dhe të njohin përgjegjësin që kanë për fatin e doktorit.

 

Loading...