Vendlindja është një gurrë kujtimesh, të mira, më pak të mira, po edhe të hidhura dhe ato nuk fshihen me asnjë gomë harrese. As që duhet të provojmë t’i fshijmë, më mirë është t’i lëmë të lodrojnë në mendjen tonë ashtu si u levërdisë atyre në çaste të caktuara.
Shkruan Milazim KRASNIQI
E dëgjoj shpesh këngën “Çuni i vogël shkon në mejtep”, zakonisht pasi të kam kaluar disa orë pune intensive, qoftë shkrime autoriale, qoftë duke përgatitur leksione për studentët. Kjo është nga këngët që më vjen në mend sapo të fillojë të ndiejë efektet e lodhjes nga puna, që shfaqen në një formë tinëzare, si mërzi nga asgjëja ose si bezdi nga askush. Atëherë e gjej këngën dhe e lëshoj me një zë të ulët, të butë, miqësor dhe e dëgjoj thuase po e dëgjoj për herë të parë në jetë. Shumë herë e dëgjoj versionin që e ka kënduar Riza Bllaca, meqë e kam një folder me këngët e tij në desktop dhe e gjej më lehtë. Por, kur e dua pak më të fortë emocionin, si kafenë pak më të idhtë, e kërkoj në goggle këtë këngë, që e kanë kënduar Tahir Drenica e Hashim Shala. Ata i kanë dy versione, në njërin Tahirit i shteron zëri dhe e këndon me siklet deri në fund. Por, tjetra është perfekte, me një gjallëri dhe optimizëm të madh. Kësi optimizmi ka ushqyer kënga shqiptare në jetët tona plot pikëllim dhe na e ka mbajtur gjallë ndiesinë për të bukurën.
E këndojnë edhe shumë këngëtarë të tjerë këtë këngë, por nuk më kanë shijuar deri sot. Ndërsa një këngëtare e njohur, e ka ndërruar vargun “nja dy ditë para Bajramit” me “nja dy ditë para Shëngjergjit”, për ta turpëruar veten e saj si këngëtare me këtë deformim esencial të vlerës sociale dhe estetike të këngës. Ku është parë more të zëvendësohet festa e Bajramit me Shën Gjergj?! Për shkak të kësaj ligësie, unë më nuk e dëgjoj atë këngëtare! Nëse më shfaqet rastësisht në ekran, e ndërroj kanalin,sepse e trajtoj si prishafestëse dhe prishakëngëse.
E drejta, me këtë këngë unë e kam edhe një identifikim të hershëm. Edhe vetë e kam pasë kënduar këtë këngë, në një ditë shkolle, në vitin 1967, bashkë me shokun e klasës, Osmanin, i cili nuk e di pse nuk është bërë këngëtar i njohur, meqë ka qenë shumë i talentuar, sikundër që nuk e di se nga më pati shkrepur mua ideja që të këndoja, kur nuk kisha ndonjë talent për të kënduar. E patëm kënduar këtë këngë para prindërve, që ishin mbledhur në një klasë, e cila dukej e vogël për gjithë ata burra me mustaqe të thinjura, me plisa e mahrama të bardha dhe me buzëqeshjet e tyre fëmijërore, që u lëvareshin në fytyrat plot kultere. Ne qemë ekzaltuar nga duartroktitet e shumta që morëm prej atyre burrave, që në raste të tjera dukeshin të vrazhdët e pa shije për këngën lirike.
E di se pas dy vitesh, po atë këngë e kam kënduar për herë të fundit te Gurët e Ahmetit. Vetëm. Ishte fundgushti dhe pas pak ditësh unë do të merrja udhën drejt kryeqytetit. Duke e kënduar këngën vetëm dhe i vetmuar, gjithnjë mendoj se kam pasur një vizion. Më duket se e kam parë veten duke u larguar nga ai vend fluturimthi, si nëpër qiell, duke u shkëputur nga vendlindja, nga ajo mënyrë jete dhe e kam ditur saktësisht se nuk do të kthehesha më kurrë ashtu si isha, një djalë katundi që nga kotësia do të këndonte pambarimisht një këngë dashurie, pa pasur dashuri, pa pasur asgjë artistike në në ambientin që e rrethonte. Po e këndoja për herë të fundit këngën, ndërsa po bëshesha vetë personazhi i saj, po bëhesha çuni që po shkonte në shkollë dhe që do ta gjente në art një pjesë të kuptimit të jetës së vet. Ka qenë një vizioni tronditës dhe i bukur, deri sa po vazhdoja ta këndoja atë këngë vetëm dhe i vetmuar, në atë lëndinë të rrethuar me male e që gjithnjë ka qenë po edhe ka mbetur edhe sot një vis disi misterioz.
Sa herë dal tash në atë lendinë, deri sa ecë përpjetë drejt Rogave të Milcinave, e kujtoj veten, më saktë atë djalë të ri, (po të huazojmë një koncept poetik të Oktavio Pazit) duke e kënduar po në atë vend dhe për herë të fundit këngën “Çuni i vogël shkon në mejtep.” Unë mund ta ndalem në të njëjtin vend e ta këndoj edhe tash, por nuk dua ta prishë vizionin që kam pasur prej atij të kënduari, rrugën jetësore që ma ka paralajmëruar e edhe ravijëzuar ajo këngë.
Gjithsesi, vendlindja është një gurrë kujtimesh, të mira, më pak të mira, po edhe të hidhura dhe ato nuk fshihen me asnjë gomë harrese. As që duhet të provojmë t’i fshijmë, më mirë është t’i lëmë të lodrojnë në mendjen tonë ashtu si u levërdisë atyre në çaste të caktuara. Është vizion dhe ngushëllim njëherësh. Edhe këngën “Çuni i vogël “ashtu e konsideroj: një lojë të fantazisë sime, kur mendja lodhet dhe kërkon një shteg që të prehet pak. Dhe e gjen ngushëllimin në fëmijëri, te kjo këngë, që identifikohet edhe me vendlindjen.
Mirë unë që ia gjej çaren lodhjes me një këngë, po çka do të bëjnë ata që nuk kanë kujtime nga jeta reale kur të lodhen nga puna e rëndë,? Kam para sysh edhe letrën e Umberto Ekos, “Letër nipit”, ku shpalos rrezikun e gjeneratës që po vjen që të jetë pa përjetime, pa jetën reale. Edhe po të mos e kisha lexuar tekstin brilant të këtij gjeniu të letërsisë botërore, nipit tim me siguri do t’ia thoja disa gjëra të ngjashme, natyrisht kur të bëhet djalosh e ta marr me vete e ta shëtis maleve të Breznicës. Me siguri do t’i tregoja edhe atij për këngën që e kam kënduar te Gurët e Ahmetit po edhe për të tjerat ndodhi. E vërteta është se po të mos e kisha përjetuar vetë atë këngë, po të mos më kish ngjallur vizionin për jetën time mu ajo këngë, thjesht do ta kisha harruar, si shumë të tjera që i kam harruar. Por, ajo ka mbetur si dëshmi e jetës së një djali që e ndjek “legjendën e vet”, si do të thoshte Paolo Koelo. Kjo është arsyeja pse ajo këngë ma zbutë lodhjen e ma heqë mërzinë. Ajo këngë tingëllon si këshilla që më ka nisur në këtë rrugë të gjatë, ajo ma ka treguar drejtimin që duhej të mbaja. Optimizmi që buron prej saj, ende më jep frymëzim.
Por, e kam hallin vërtet për nipin dhe gjithë brezat që po vijnë: si do të bëjnë pa këngët e këtilla, që prodhojnë vizione në rini, ndërsa të ofrojnë shlodhje edhe në moshë të shkuar? Nëse nuk do t’i dëgjojnë këngët optimiste shqiptare, do të bëhen më depresivë e të tjetërsuar, ndërsa tjetërsimi kulturor e moral vetvetiu është edhe lodhje e edhe dëshpërim pa fund. Është humbje. Dhe prodhon ikjen tragjike nga vetja e nga vendlinja. (2014)
No tags for this post.