Vendimi për mbylljen e shkollave në Drenas mbetet në fuqi

Kuvendi Komunal i Drenasit ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës atë për shfuqizimin e vendimit të DKA-së për mbylljen e shkollave në Abri, Godancë dhe Gjergjicë.

Pas dy fjalimeve, pika e vetme e rendit të ditës për shfuqizimin e vendimit të Drejtorisë së Arsimit, me shumicë prej 16 vota kundër nuk kaloi.

Loading...

Beqir Kiqina nga AAK, ka thënë se nuk qëndron arsyetimi i Komunës se nuk ka buxhet të mjaftueshëm, dhe ka kërkuar nga kryetari Lladrovci që të kërkojë falje për këtë veprim.

“Nuk është respektuar njoftimi 52 ditë për këtë vendim, nuk kanë qenë të njoftuar as prindërit e as stafi, e as nxënësit që udhëtojnë në largësi shumë të madhe. Vendimi bie ndesh, kur edhe MAShT-i ka dal kundër, të cilët e kanë konsideruar të gatshme. Janë disa arsye që DKA ka thënë një ndër to është se nëse nuk ka buxhet, dhe kanë kërkuar nga MAShT-i ndihmë. MAShT është i gatshëm për të ndarë buxhet por komuna nuk pranon. Kërkim falje të Lladrovcit për familjet dhe nxënësit që shumë fëmijë janë edhe fëmijë të dëshmorëve, i ka shpërblye me mbylljen e shkollave”, ka thënë Kiqina gjatë fjalimit të tij.

Shqipe Zogu nga PDK, e ka arsyetuar vendimin e Komunës së Drenasit.

“Vendimi i DKA-se nuk është vendim për mbylljen e shkollave, por shkrirjen e tri shkollave që do të thotë paralelet e ndara në shkollën amë. Ky fuzionim vije se në ato paralele të ndara numri i nxënëseve është vogël ka qenë shumë herë më i vogël se sa parashihen në Udhëzim Administrativ. Këto paralele në Gjergjicë janë duke vijuar mësimin në shkollën e Orllatit, nxënësit e shkollës së Godancit janë duke shkuar në shkollën e Gllanasellës dhe Dobroshevcit gjithashtu edhe një pjesë e nxënësve në Abri janë duke vijuar mësimin në Likovc. Kështu që numri që nuk po vijojnë mësimin janë vetëm 2 nxënës dhe ata sipas prindërve nuk janë mirë me shëndet”, tha ajo.

Vehbi Berisha nga radhët e Nisma-së në një prononcim për KALLXO.com e ka quajtur vendimin e Komunës skandaloz. Sipas tij do të vazhdojnë të këmbëngulin në kundërshtimin e tyre për të mos i mbyllur shkollat.

“Sot është parë që mungon demokracia dhe mungon e drejta  për debat dhe na mohu kjo e drejtë sidomos neve opozitës. Ky vendim skandaloz i udhëheqjes komunale për vetë faktin se edhe Ministria e Arsimit ka dalë kundër. Është tejet pa planifikim pasi që ka dal si vendim vetëm një ditë para se që të filloj procesi mësimor dhe si i tillë është edhe i imponuar politikisht ndaj këtyre fshatrave dhe si një hakmarrje politike. Kemi bërë të pamundur për këtë çështje, faza e radhës do te jetë ankimimi dhe kallëzimi në Prokurorinë e Kosovës dhe aktpadia themelore në Drenas”, tha Berisha.

Anëtari i këshillit komunal nga radhët e Iniciativës për Drenasin, Petrit Gashi u shpreh për KALLXO.com se nuk është e vertëtë që vijojnë vetëm dy nënës siç kishte potencuar pjesëtarja e PDK-së.

“Në arsyetimin e tyre bien ndesh, nuk është e vërtete qe po vijojnë mësimin të gjithë nxënësit. Kryesuesi i kuvendit komunal bëri shkeljen e rregullores duke ia dhënë të drejtën vetëm një grupi parlamentar siç është PDK, për ti bërë thirrje asamblistëve të saj që mos ta votojnë këtë rend të ditës. Është shumë e pa vërtetë ajo që tha se vetëm dy nxënës po e vijojnë mësimin, në Abri më shumë se 70% e nxënësve nuk e vijojnë”, ka thënë ai

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht lidhur me ketë vendim të Komunës së Drenasit, ku është kundërshtuar nga prindërit përmes protestave por që, Komuna e kishte quajtur vendim të ‘pakthyeshëm’.