Vdes në moshën 93 vjeçare Prof. Fazli Osmani.

Prof. Fazliu ka lindur në vitin 1926 në fshatin malor dhe të largët të Izbicës, komuna e Skenderajt. Shkollën fillore e kishte kryer në Turicec, në gjuhën serbokroate, derisa atë të mesme në Normalën e Prishtinës. Pas Normalës, ai punoi si mësuesi i parë shqiptar nga Drenica në shkollën e parë tetëvjeçare të Klladernicës dhe në fshatin Vitak. Ndërkohë, ai hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Vajnik të Skenderajt.

Nga viti 1954, ka jetuar në Mitrovicë. Në këtë periudhë ai kishte kryer edhe shkollën e lartë pedagogjike – dega e historisë. Por, puna e tij në arsimimin e popullatës të Drenicës, nuk është ndalur asnjëherë. Ai punoi me shumë dashuri, përkushtim dhe sakrificë, që nga ditët e para të punës së tij si mësues në fshatrat e Drenicës. Ai kishte merita të veçanta për hapjen e shkollave të para shqipe në Drenicë, përfshirjen e vajzave në procesin mësimor, për luftimin e pengesave që arsimit shqip në përgjithësi i paraqiteshin gjatë asaj kohe.

“Mësuesi Fazli, ishte një enciklopedi e gjallë, me shumë përjetime dhe përvoja nga fazat më të rëndësishme historike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Dhe na shkoi përgjithmonë, për fat të keq, pa e dëgjuar, pa mësuar shumë nga ai. E ai ishte një tregimtar i jashtëzakonshëm. Duke qenë i ndjekur nga UDB-eja, mësuesi Fazli, nuk kishte arritur të fitonte ndonjë pozicion të rëndësishëm shoqëror të kohës, por atë e mbante respekti i madh që gëzonte populli i Drenicës për te. Ai bashkëpunonte me persona të rendësishëm të kohës si Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Dervish Rozhaja, Halil Kajtazi, Fazli Kajtazi, etj. Me të cilët ishte njohur në kohën që po bënte mësimet në normalen e Prishtinës.

Kam patur fatin ta takojë disa hera Mësuesin Fazli, më rrotullohen shumë mendime në kokë nga takimet me te. Ai ishte aq i afërt, aq i dashur, aq i këndshëm. Ishte një erudit me një diapazon të jashtëzakonshëm të njohurive dhe me një të folur me shumë elokuencë dhe ngrohtësi. Kishte një forcë magjepse tërheqjeje dhe të bënte për vete saora. Ai ka shumë merita. Ndër të parët ka iniciuar shkollimin e femrës shqiptare. Ai ua ka mësuar shkrim-leximin disa mijëra të rriturive, në mesin e tyre edhe mijëra femrave shqiptare. Ka shëtitur shtëpi me shtëpi, fshat me fshat si bleta që thithë nektarin për të shpërndarë dritën e diturisë. Ai ishte më shumë së një mësues, ai vepronte si një pedagog, edukator, këshilltar dhe përhapës i ideve përparimtare kudo. Si një misionar që shpërndan dritë të diturisë e dashurisë për njerëzit dhe atdheun e tij. Mbi të gjitha ka pasur guximin për të mbjellë ndjenjën e atdhedashurisë në çdo shtëpi, kudo që ka vepruar. Ai ishte një hero i gjallë i lënë pasdore nga shteti. Ai kurrë nuk e deshi karrigen, sepse ai punonte për arsimimin, emancipimin dhe përparimin e kombit, pa asnjë çmim. Për një komb të qytetëruar, të edukuar dhe që është në gjendje që të sakrifikojë për atdheun. Dhe që din çfarë donë dhe nga duhet të mbajë. Ai ishte një luftëtar për mposhtjen e fanatikëllekut, prapambeturisë shekullore dhe kundër dogmave që po i shkaktonin dhe vazhdojnë ti shkaktojnë akoma dëme të parikuperueshme kombit. Emri i tij për së gjalli ishte mbuluar nga pluhuri i harresës. Shoh, zhvillimet në Kosovë. Emrat e rrugëve dhe institucioneve. Pak emra të atyre që e pajisen këtë popull me pasurinë më të madhe që mund ta këtë një komb – diturinë. Ndonjë shkollë, rrugë apo institucion tjetër edukativ a shkencor do duhej të mbante emrin e mësuesit Fazli. Mësuesi Fazli paraqet një aset shumë të çmuar për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe popullatën e Drenicës dhe regjionit të Mitrovicës në veçanti. Ai nuk e meriton që figura e tij të mbulohet me pluhurin e harresës. Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Fazli Osmani!I lehtë i qoftë dheu i Kosovës, për të cilën dha krejt çfarë ishte e mundur në kohën e tij!”, shkruan një lexuese për Drenica Press

Varrimi i tij do të bëhet sot, me dt. 24. 06. 2019, nga ora 16. 30 min. në varrezat e Shipolit. /Drenica Press/