Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa një 18-vjeçare ka ndërruar jetë në QSUT si pasojë e një virusi të rrallë që e kishte prekur.

Rasel Çarçani nuk ka mundur t’i bëjë ballë sëmundjes që brenda dy ditëve për fat të keq i ka marrë jetën, duke lënë pikëllim të madh te familja e saj, të afërmit si dhe miqtë.

Burime për Gazeta Shqiptare kanë bërë të ditur se ajo ishte prekur nga meningjiti. Kjo është një sëmundje që shkaktohet nga një lloj bakteri i veçante (meningoku), i cili prek shtresat mbrojtëse që veshin trurin. Kjo sëmundje shoqërohet me temperaturë, vjellje dhembje të forta koke.

Në qoftë se ndihma mjekësore nuk merret në kohën e duhur, i sëmuri edhe mund të vdesë. Por edhe nën terapi vdekshmëria është 5 % deri 30 %. Pasojat më të rënda të meningjitit bakterial janë të metat mendore dhe vdekja.

Sakaq, mësohet se vajza kishte qenë me pushime në Pogradec, e prej andej ishte transferuar në reanimacionin e infektivit.

Burime nga QSUT kanë bërë të ditur për Gazeta Shqiptare se ka qenë e pamundur të mbahej në jetë për shkak të sëmundjes specifike që gjithnjë referuar burimeve nuk kishte shpëtim kudo që ta çonin të renë.

E pikëlluar në shpirt, motra e viktimës ka shprehur dhimbjen për këtë humbje të madhe, ndërsa nuk arrin ta besojë se po e përcjell Raselin për në banesën e fundit. “Shpirti i motrës, se besoj ende që ike dhe sot të përcjell për në banesën e fundit, e di që do të jesh engjëlli mbrojtës atje lart, je motra ime, frymëzimi im, Celushi im…”- shkruan e motra në Instragram.

No tags for this post.