Klubi i Manchester City është i zhgënjyer – pasi u është referuar Trupit të Kontrollit Financiar të UEFA-s pas një hetimi mbi pretendimet se klubi ka thyer rregullat financiare të Fair Play.

UEFA nisi një hetim më parë këtë vit pasi revista gjermane Der Spiegel pretendoi se ata kishin thyer rregullat e FFP duke e rritur vlerën e një marrëveshje sponsorizimi multimilionësh, përcjell GazetaBlic.

New York Times raportoi të hënën se hetuesit duan që City të dënohet dhe të mos luajë një vit në Ligën e Kampionëve dhe shefi i hetimit, Yves Leterme ka bërë rekomandimin e tij për UEFA.

Ndërsa nuk dihet se çfarë ka rekomanduar Leterme, UEFA ka konfirmuar se kampionët e Premier League janë dërguar në Dhomën Gjyqësore të CFCB.

“Shefi i Hetuesit të Trupit të Kontrollit Financiar të Klubit (CFCB), pasi u konsultua me anëtarët e tjerë të dhomës së pavarur hetimore të CFCB, ka vendosur të përcjellë Manchester City në dhomën gjyqësore të CFCB pas përfundimit të hetimit të tyre”, thuhet në një deklaratë nga UEFA.

“Dhoma hetuese e CFCB kishte hapur një hetim për Manchester City më 7 mars 2019 për shkeljet e mundshme të rregulloreve financiare të Fair Play që u bënë publike në media të ndryshme. UEFA nuk do të bëjë ndonjë koment të mëtejshëm mbi këtë çështje derisa një vendim të shpallet nga dhoma gjykatore e CFCB.”