UEFA dënon Feyenoordin për një… banane, po Serbia?

Uefa vijon të shfaqet me dy standarde në qëndrimin e saj ndaj racizmit apo dhunës, duke konfirmuar se vendimi i saj për të ndëshkuar Shqipërinë për atë që ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit të kaluar në Beograd, ishte një qëndrim i paprecedent dhe krejtësisht politik dhe jo i bazuar në faktet apo politikën kundër këtyre fenomeneve.
Uefa komunikoi se ka hapur një procedim disiplinor në drejtim të Feyenord dhe sulmuesit të Romës Adem Ljajic për episodet që ndodhën gjatë sfidës së kthimit të 1/16 të Europa League në qytetin holandez të enjten e kaluar. Adem Ljajic autor i golit të parë të ndeshjes ka përfunduar në shënjestrën e organizmit të futbollit kontinenta, pasi festimi i tij është përkufizuar si provokues në drejtim të publikut vendas.
Nga ana tjetër Feyenord duhet të përgjigjet për sjelljen raciste të disa prej tifozëve të tij. Më konkretisht klubi holandez rrezikon një ndëshkim shembullor për një banane të madhe prej plastike që u hodh nga shkallët e stadiumit në drejtim të Gervinho, si dhe për hedhjen e disa sendeve të forta që detyruan arbitrin francez Turpin të ndërpriste takimin për rreth 10 minuta.
Mjafton një krahasim i shpejtë me ngjarjen e Beogradit për të kuptuar lajthitjen e Uefa-s në lidhje me Shqipërinë. Sot me të drejtë kërkon ndëshkimin e një episodi si ai i hedhjes së një bananeje plastike, por a mund të krahasohet një episod u tillë me thirrjet që para fillimit të ndeshjes në Beograd “Vrisni Shqiptarët”, për të cilat Uefa nuk denjoi madje as ti marrë parasysh.
Kontrasti është i jashtëzakonshëm, futbollistët shqiptarë në Beograd u goditën nga tifozë që hynë në fushë e madje edhe nga personeli i sigurisë, por në fund u gjykuan fajtorë sipas Uefa-s se nuk u futën më në një fushë prej nga kishin dalë duke u goditur nga të katërta anët. Një banane plastike për Uefa-n qenka më e dënueshme se thirrjet konstante për genocid ndaj Shqiptarëve në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Morali i fabulës është mëse i qartë. Drejtësia e Uefa-s nuk qenka më ajo perëndimorja me simbol perëndeshën me sy të mbyllur që nuk shikon në sy askënd, por një hanëme orientale e mesjetës që herë pas here ngre perçen për të parë kë ka përballë.