Trump shkarkoi nga pozita sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e shkarkoi nga pozita sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Loading...

Duke e falënderuar Tillersonin për shërbimin e tij, në një postim në Twitter, Trump tha se sekretari i ri i Shtetit do të bëjë “një punë fantastike”.

Tillerson, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës ExxonMoibil, ka marrë detyrën pak më shumë se një vit më parë.

Trump po ashtu emëroi Gina Haspelin për drejtore të CIA-s – gruan e parë në këtë pozitë.

Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se dallimet e tij me Tillersonin janë shndërruar në “kimi personale”.

“Kemi kaluar mjaft mirë, por nuk jemi pajtuar në disa gjëra”, tha Trump.

“Sa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin, unë mendoj se është e tmerrshme. Ai ka menduar se është në rregull. Unë kam dashur ta prish atë ose të bëj diçka në lidhje me të, ndërsa ai ka menduar pak më ndryshe. Pra, nuk kemi menduar njësoj”, tha Trump.

“Me Mike Pompeon, kemi proces shumë të ngjashëm të të menduarit. Mendoj se do të funksionojë mirë”, shtoi Trump.

Spekulime se Tillerson mund të shkarkohet ka pasur që disa muaj.

Tetorin e kaluar, ai është detyruar të thërrasë një konferencë për media, për të mohuar raportet se ai po shqyrton largimin nga puna.

Në vjeshtë, ndërkaq, Trump e ka nënvlerësuar publikisht Tillersonin, duke shkruar në Twitter se ai “po humb kohën e tij” duke bërë përpjekje që të negociojë me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor. /rel/