Triku i VV’së: Nuk e ftojmë Listën Serbe, por e rrëzojmë qeverinë me ta

Zgjedhjet u përmendën shumë herë si kërcënim për qeverinë që udhëheq Ramush Haradinaj. Veçmas, të gjitha partitë dhanë qëndrimet e tyre që nuk u konkretizuan për arsye të ndryshme. Së fundmi pro ka dalë edhe Lista Serbe, megjithatë, disponimi për zgjedhje nuk po shihet. Express mëson se opozita ende nuk është koordinuar mes vete. Disa i frikëson rezultati zgjedhor, e disa ende nuk kanë vendosur a do t’i bashkojnë votat me Listën Serbe.

Sondazhi i fundit i publikuar nga KDI, që pasqyronte rezultatin e partive politike kosovare pas zgjedhjeve ka bërë që këto të fundit të mendojnë edhe një herë idenë për inicim të mocionit për rrëzim të kësaj qeverie.

Loading...

Sipas këtij rezultati, Partia Social Demokrate e Shpend Ahmetit nuk do të kalonte as pragun zgjedhor për të hyrë në kuvend, duke marrë vetëm 2 përqind, duke lënë prapa AKR’në me 1.7 përqind dhe Alternativën me 0.6 përqind.

Sa për të kaluar pragun do të votohej AAK’ja, ndërsa Vetëvendosje do të radhitej e treta me 17.6 përqind.

Në vend të dytë radhitet PDK, ndërsa LDK prinë e para me 23.8 përqind.

Megjithëse ky është vetëm rezultat i një sondazhi, partitë që kanë përmendur dërgimin e Haradinajt në shtëpi, pas votave që iu ofroi Lista Serbe nuk po del të kenë të njëjtin qëndrim.

Gazeta Express mëson se Vetëvendosja që fillimisht u tregua e qartë sa i përket bashkimit të votave me Listën Serbe, këtë qëndrim do ta diskutojë në mbledhjen që do të mbajë së bashku me grupin parlamentar.

Sipas burimeve të Express ata do të vendosin sot për mocionin. Problem i tyre nuk po del të jetë bashkimi i votave me deputetët serb, mirëpo thonë se as nuk do t’u bëjnë atyre ftesë.  Në rast se mocioni thirret nuk e përjashtojnë mundësinë që së bashku ta rrëzojnë qeverinë.

“|Jo ende nuk e kemi ndonjë qëndrim zyrtar. Vetëvendosje e ka bërë të qartë që mendon se kjo qeveri duhet të shkojë për shkak të shumë vendimeve të dëmshme.

“Ne e kemi qëndrimin tonë se jemi për rrëzim të qeverisë ne nuk jau kërkojmë votat e Listës Serbe.

Ne mendojmë që ky është një shantazh i radhës që Lista serbe po i bën qeverisë në raport me vendimin që qeveria Hardinaj ka bërë për taksën. Ne kemi qenë në kontakt edhe me partitë tjera tash e sa kohë për të biseduar për këtë temë”, tha për Express deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci.

E ata që nga sondazhi dalin të fundit, kanë arsyetime tjera.

Shefi i grupit parlamentar të PSD’së, Dardan Sejdiu u deklarua në Pressing se nuk kanë frikë nga mocion, por ky duhet të bëhet në kohën e duhur.

 “Qeveria Mustafa ka rënë me votat e deputetëve shqiptarë. Nuk kanë qenë vendimtare votat e Listës Serbe. Por tash votat për rrëzim të qeverisë janë vendimtare ato të Listës Serbe. Pra, pa votat e tyre qeveria nuk mund  të rrëzohet. Tash në duhet të vendosim a dëshirojmë të rrezojmë qeverinë me votat e tyre apo jo,” tha Sejdiu.

Gjithashtu ai thotë se kurdo që do të mbahen zgjedhjet do të marrin vota të mjaftueshme.

“Jemi të bindur se do ta kalojmë pragun në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu besojmë që do t’i mbajmë edhe deputetët që i kemi tani. Kjo është bindja jonë. Nuk kemi frikë nga zgjedhjet”, u deklarua ai në Pressing.

Njejtë po del të kenë qëndrim edhe nga Alternativa.

Deputetja, Mimoza Kusari-Lila, duke folur në DPT me Fidanin për mocionin thotë se Lista Serbe dëshiron rrëzimin e Qeverisë për shkak të vendosjes së taksës prej 10 përqind për mallrat serbe.

“Nuk e votojmë iniciativën e Listës Srpska, e cila dëshiron ta rrëzojë Qeverinë”, tha Kusari-Lila.

Ndërkaq, analisti Astrit Gashi tha për Express se PDS’së dhe Alternativës nuk ju konvenojnë zgjedhjet, veçse nëse krijojnë koalicione parazgjedhore.

“Nuk ka asnjë dyshim që as PDS e as Mimozës dhe Ilirit nuk ju shkojnë për shtati zgjedhjet në këtë moment. Përtej kësaj PSD është deklaruar edhe publikisht se do të mbështeste krijimin e një grupi të përbashkët negociues me Serbinë dhe do të merrte pjesë në të. Për të njejtën gjë, pra për nevojën e krijimit të një delegacioni shtetëror, e kam dëgjuar duke u deklaruar tek ju edhe Ilir Dedën. Përderisa për PSD do të jetë sfidë, por jo e pamundshme kalimi i pragut si e vetme për Alternativën kjo duket krejt e pamundshme. Ndoshta të dy palët do të kishin më të lehtë kalimin e pragut dhe forcimin në Kuvendin e ardhshëm duke krijuar koalicionin parazgjedhor. Për këtë ka kohë që po bisedohet, por ende pa konkretizim”, u deklarua Gashi.

Sipas tij, Alternativa nuk e ka ende të qartë se nga të drejtohet në të ardhmen, e në anën tjetër disponim për zgjedhje nuk kanë as LDK dhe VV.

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj u përmend tash e sa kohë, fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këta të fundit po del se nuk e kanë problem bashkëpunimin me Listën Serbe, sepse janë deklaruar se edhe këta të fundit dikur kishin bashkëpunuar me PDK’në për ta rrëzuar nga pushteti Isa Mustafën./Express/