Që të dy përbërësit e cekur në titull mund të gjenden në markete edhe në stinën e dimrit.

Përbërësit për tavë 24 cm:

7 mandarina bio, dy prej të cilave për zbukurim

● 125g gjalpë i butë në temperaturë ambienti

● 150g sheqer kafe

● 240g miell bajamesh ose bajame të bluara

● 100g miell integral (i zi)

● 3 vezë

● 1 bustinë sodë për ëmbëlsira

Për kremin sipër:

180g djathë Philadelphia ● 50g sheqer pluhur ● lëngu i ½ limoni ● 30g gjalpë i butë në temperaturë ambienti

Përgatitja: Ndezim furrën në 180°.

– Mandarinat (5), të lara, pa i qëruar, i vëmë të ziejnë në një tenxhere me ujë të valuar për 10 minuta (i hedhim kur uji të ketë marrë valë).I kullojmë dhe i lëmë mënjanë të ftohen mirë. I presim mandarinat bashkë me lëkurën në copa dhe më pas i grijmë te grirësi i frutave sa të bëhen si pure. I lëmë mënjanë.

– Me rrahësin elektrik rrahim vezët me sheqerin për 2 minuta sa të bëhen si krem. Shtojmë gjalpin pjesë-pjesë, miellin e bajameve, miellin dhe sodën e ëmbëlsirave nëpërmjet një site dhe së fundi purenë e mandarinave. I përziejmë mirëme spatul ose lugë druri.

– Hedhim brumin te tava e lyer më parë me gjalpë e miell dhe e pjekim në furrë për 40 minuta me 180°, më pas e ulim temperaturën në 150° dhe vazhdojmë pjekjen edhe për 15-20 minuta të tjera. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh e cila duhet të dalë e pastër. Nëse është nevoja, mbulojeni nga fundi i pjekjes tortën me letër alumini që të mos digjet pasi koha e pjekjes është shumë e gjatë.

– Kur torta të jetë e vakët e heqim nga tava dhe e lëmë të ftohet plotësisht mbi një grilë.

Ndërkohë përgatisim kremin: Me rrahësin e vezëve me dorë, përziejmë djathin me sheqerin dhe gjalpin. Shtojmë më pas dalëngadalë lëngun e limonit derisa të kemi një masë si shkumë. E zbukurojmë tortën me kremin dhe sipër vëmë feta mandarinash të freskëta bashkë me lëkurë. /Living/