Me humbjen ndaj Prishtinës në xhiron e kaluar, skuadra e Llapit pothuajse i ka humbur gjasat për titull të kampionit.

Llapi ishte në garë për titull me Prishtinën dhe Feronikeli, por humbja e pësuar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 1:0 i ka kushtuar shumë, pasi që Feronikeli nuk gaboi ndaj Dritës duke fituar 4:1, duke i ikur pesë pikë kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të kampionatit.

Me rikthimin e Tahir Batatinës si trajner Llapi pati një seri të jashtëzakonshme prej shtatë fitore radhazi, duke bërë garën për titull të kampionit tejet interesante.

Të nesërmen do të zhvillohet xhiroja e parafundit e Superligës dhe kryendeshja do të jetë në Podujevë, pasi do të përballen Llapi dhe Feronikeli, shkruan Insporti.

Në njoftim e faqes zyrtare të Llapit në rrjetin social Facebook për ndeshjen e së nesërmes, tifozët llapjanë kanë komentuar duke kërkuar që kjo ndeshje t’i lëshohet skuadrës së “Niklit”, në mënyrë që Prishtina të mos shpallet kampion.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti” prej orës 16:00.

“Legjendat” renditen në pozitën e tretë me 69 pikë, Feronikeli në të parën me 75 pikë ndërsa Prishtina në të dytën me 72 sosh. Prishtina po ashtu do ta zhvillojë ndeshjen e saj si nikoqire e Trepça ‘89 në të njëjtën kohë.