Themelohet Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

Që nga sot monumentet e trashëgimisë kulturore do të kenë edhe mbrojtje me ligj nëpërmjet inspektorëve. Kjo pasi sot është themeluar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.

Loading...

Bedri Hadri, Labërie Daka dhe Pajtim Zogaj janë tre emrat që do ta monitorojnë tani e tutje trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka deklaruar se themelimi i Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore ka qenë prioritet i tij si ministër dhe kërkesë e kamotshme ligjore.

Sipas tij inspektorët e këtij organi inspektues do të jenë gardian që do i mbrojnë asetet kulturore në vend.

“Ky mekanizëm, ky inspektorat do të jetë edhe instrument i rëndësishëm i cili do të jetë në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, do të jetë gjatë 24 orëve në monitorim të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe jam shumë i vetëdijshëm që këta koleg të mijë që do të punojnë në kuadër të kabinetit tim do të kenë një punë jashtëzakonisht të madhe që i pret sepse ju e dini që deri më tani ndoshta edhe si mungesë e inspektorëve të trashëgimisë kulturore ne kemi pasur shpesh herë edhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore”, tha Gashi.

Sipas tij mungesa e këtij mekanizmi ka ndikuar por ashtu edhe në degradimin e objekteve kulturore në shumë qytete të Kosovës.

Gashi tha se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do të fillojë punën me tre inspektorë, por që sipas tij do të bëjë kërkesë në Qeveri si dhe në Ministrinë e Financave që të rritet numri i tyre.

Ai bëri të ditur se inspektorët e këtij Inspektorati përveç ruajtjes së trashëgimisë kulturore, prioritet do e kenë edhe hartimin e akteve nënligjore me të cilat do të punojnë.

“Këta tre bashkëpunëtorë do të jenë ata të cilët do të veprojnë qysh nga dita e nesërme e kanë edhe një punë tjetër e kanë edhe një prioritet tjetër për me i hartua aktet nënligjore me të cilat do të punojnë, rregulloren e punës së këtij këshillit përkatësisht të këtij inspektorati dhe pastaj do të jemi në terren ashtu siç e thash 24 orë, shtatë ditë të javës”, ka deklaruar ai.

E për këtë inspektori, Bedri Hadri u shpreh se deri më 31 mars do të përfundojë rregullorja lidhur me kompetencat dhe detyrat e Inspektoratit për Trashëgiminë Kulturore.

“Jemi në hartim të rregullores, domethënë është bërë një draft i rregullores lidhur me kompetencat dhe detyrat e Inspektoratit për Trashëgimisë Kulturore, ne mendojmë që tre mujorin e parë të këtij viti do të përfundoj rregullorja konkretisht deri më 31 mars”, tha ai.

I pyetur për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në Prizren ashtu siq ishte premtuar gjatë fushatës elektorale, Gashi tha se janë duke pritur një vendim të autoriteteve të Prizrenit për të dhënë në shfrytëzim objektet për zhvendosjen e Ministrisë.

Ndërsa sa i përket pranimit të Kosovës në UNESCO, ministri i Kulturës tha se në masë të madhe janë kryer të gjitha obligimet që çojnë drejt UNESCO-s duke përfshirë edhe krijimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.