Thaçi: Roli i Gjermanisë është jetik për Ballkanin

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z.Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Gjermani është pritur nga homologu i ti, Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier, dhe  zyrtarët të tjerë të lartë të Gjermanisë.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar Gjermaninë për angazhimin e saj në përkrahje të Kosovës gjatë tërë këtyre viteve. “Gjermania është një nga partnerët kryesor të Kosovë”, ka thënë Zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se “mbështetja që nga viti 1999 ka qenë jetik për Kosovën dhe për rajonin”.
Zëvendëskryeministri Thaçi njoftoi Ministrin Steinmeier për angazhimin e Kosovës për t’u përballur me sfidat, veçanërisht me atë të fundit, të emigrimit ilegal të kosovarëve, për të cilët u tha se nuk do të gjejnë vend në Gjermani dhe askund në BE dhe do të duhet të kthehen prapa. Zëvendëskryeministri Thaçi ka treguar edhe për arritjet në bashkëpunimin rajonal, integrimet Euro-Atlantike, progresin në dialogun me Serbinë si dhe në themelimin e Gjykatës Speciale. Zëvendëskryeministri Thaçi ka kërkuar ndihmën e Gjermanisë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Partneritetin për Paqe të NATO-s si dhe në lobim të shtuar për njohjen e Kosovës nga shtetet e BE-së.
Më herët gjatë ditës, Zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar Grupin Parlamentar për Evropën juglindore të Bundestagut Gjerman me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Grupi Parlamentar, i kryesuar nga deputeti Peter Weiss i CDU-së, është interesuar për zhvillimet në Kosovë dhe për rolin e Gjermanisë në këto zhvillime.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka informuar deputetët e Bundestagut për të arriturat e Kosovës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe ka falënderuar nikoqirët gjermanë për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës.
Përkrahja e Gjermanisë edhe në të ardhmen mbetet jetike për aspiratat për anëtarësim në BE dhe në NATO si për Kosovën ashtu edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë në këtë takim Zëvendëskryeministri Thaçi.