Thaçi nuk heq dorë: Ky është momenti historik për bashkimin e Luginës me Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sërish ka folur rreth idesë së tij për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave me përfaqësues të Luginës së Preshevës.

Loading...

“Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka thënë Thaçi..

Postimi i plotë i Thaçit:

“Dje dhe sot, kisha kënaqësinë të takoj njerëz të botës akademike, të biznesit, të rinj, studentë, ish-përfaqësues të UÇPMB-së, të diasporës shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, kryesisht nga Lugina e Preshevës.

Bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave tona. Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Me arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi, përparësitë e Kosovës do të jenë: njohja reciproke, njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet anëtare të BE-së, rrugëtimi i sigurt për në NATO dhe BE, si dhe anëtarësimi në OKB.

Të gjithë bashkëbiseduesve u premtova, gjë e cila do të konfirmohet, se në të gjitha takimet e mia në Konferencën e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, do ta diskutoj mundësinë e korrigjimit të kufijve, me mundësi reale për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/