Tensionet ajrore, Kina reagon ashpër ndaj veprimeve të SHBA-ve

Kina ka shprehur hapur pakënaqësitë e saja ndaj veprimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara, ku një avion vëzhgues fluturoi të mërkurën mbi zonat e kontestuara në detin e Kinës së Jugut.

Loading...

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei i cilësoi veprimet e fundit të SHBA-ve si një kërcënim i sigurisë, ndërsa shtoi se autoritetet kineze vepruan sipas rregullave kur pikasën avionin.

“Ishte një veprim i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe i dëmshëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ne shprehim pakënaqësinë tonë të fortë ndaj SHBA-ve dhe i bëjmë thirrje t’i përmbahen rreptësishtë ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare dhe të shmangin veprimet provokuese”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Ndërkohë, ai shtoi se Kina do të vazhdojë të monitorojë nga afër zonën në fjalë dhe do të marrë masat e nevojshme për të parandaluar cenimin e sigurisë në këto zona.

Avioni amerikan kreu një mision zbulimi në një zonë ku Kina është duke ndërtuar një seri ishujsh artificial, të cilët, sipas SHBA-ve, po ndërtohen në ujërat ndërkombëtarë dhe janë shqetësues. Një ekip i CNN u lejua në bordin a avionit “P8-A Poseidon”, teksa ai fluturoi mbi ishuj. Ndërsa marina kineze lëshoi 8 paralajmërime, të cilat u dëgjuan në bordin e avionit. /TCH/