Mund të tingëllojë çuditshëm, por duhet ndalur politikanët tanë që të flasin për familjen Jashari të Prekazit, sepse secili po flet si i teket e si do vetë, shkruan “Kosovarja”.

Njëzet vjet pas luftës heroike të Adem Jasharit kundër Serbisë dhe sakrificën legjendare të familjes Jashari, sot debatohet nëpër studio e televizione për lidhjet e iks personave me këtë familje!

Shumica absolute e figurave që janë futur në politikën kosovare pa përgatitje elementare dhe pa merita, sot flasin për kinse kontaktet me Adem Jasharin dhe lidhjet konspirative me luftën çlirimtare dhe me familjen e shenjtë.

Ka, madje, njerëz që thonë e gënjejnë se “këtë revole e kam prej Adem Jasharit”, por edhe të tjerë që shpikin për interesa personale, klanore e partiake, duke folur dhe imagjinuar takime e ndeja me heroin legjendar Adem Jasharin!

Por, ç’është edhe më e keqja, edhe partitë janë munduar të përfitojnë dhe mundohen në vazhdimësi të tregohen si të afërta me familjen Jashari!

E di opinioni, populli, si nuk arriti Murat Jashari të bëhet Avokat i Popullit, edhe pse vetë zyrtarët qeveritarë ia ofruan këtë post!

Dje doli edhe një propozim tjetër nga Kadri Veseli, i cili i ofroi Bekim Jasharit postin e kryeministrit!

Mirëpo, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i tha troç: “Nuk i lë qytetarët e mi as për postin e presidentit”!

Andaj, intenca e partive dhe individëve për të përfituar nga familja Jashari e Prekazit është krim!

Sidoqoftë, familja Jashari deri më tani e ka mbajtur jashtëzakonisht mirë pozicionin reputativ kombëtar, duke mbajtur paanësi dhe duke i pritur të gjithë në shtëpinë e vet…

Familja Jashari është unikate në botë! Sepse, nuk ekziston një familje e tillë e shenjtë që ka luftuar për kombin dhe shtetin si familja Jashari.

Prandaj, është e paimagjinueshme që Republika e Kosovës ta gëzonte në këtë përmasë lirinë, po të mos ishte sakrifica e familjes Jashari. Andaj, Prekazi është vendi ku duhet përkulur shqiptarët.

Kjo familje i jep shtetit nderë! Varret e familjes Jashari dhe kompleksi i tyre legjendar, është treguesi më i saktë se asnjë pushtues nuk mund ta mësyjë më Kosovën.

Shtrohet pyetja: A lejohet çdo kush të flasë për familjen Jashari dhe për Adem Jasharin?

Për lidhjet me familjen Jashari, veçmas me Komandantin legjendar Adem Jasharin, kanë folur njerëz, komandantë, politikanë në studio të ndryshme, në debate, foltore dhe tubime përkujtimore.

Por, e keqja është dhe mbetët se ka edhe të tillë që e përafrojnë veten me Adem Jasharin dhe luftën e familjes Jashari!

E, dihet botërisht se në ditën kur është rrethuar e sulmuar familja Jashari në Prekaz, nuk ka njeri të del e të thotë konkretisht se u ka shkuar në ndihmë, por të gjithë arsyetohen se ishte e pamundur t’i ofroheshe Prekazit nga rrethimi ushtarako-policor serb!

Andaj, do të ishte mirë dhe e logjikshme që të ndalohet me ligj rrëfimi i gjithkujt për lidhjet me këtë familje dhe komandantin unikat në botë, Adem Jasharin!

Falë Zotit, familja Jashari po zgjerohet dhe vetëm ata që kanë mbetur gjallë e dinë të vërtetën e kësaj familje historike shqiptare.Safet Krivaça /Kosovarja/