Përplasjet dhe fyerjet i kemi parë nëpër studiot televizive, por nuk kanë munguar edhe rrahjet.

Në emisionin “Info Magazine” të televizionit KlanKosova, ishin rrahur edhe me grushte ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e tash deputet i PSD-së, Frashër Krasniqi, me deputetin e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka. Kjo rrahje kishte ndodhur më 29 shtator 2017. E deri te përleshja ka ardhur për shkak se deputeti Krasniqi i kishte thënë Zekës se nuk je mësuar të flasësh në mënyrë të moderuar. E Zeka i ka thënë se ai nuk guxon t’ia komentojë nivelin e komunikimit, duke thënë se të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sa ishte pjesë e kësaj partie Frashër Krasniqi, i kanë sharë njerëzit me nënë. Zeka ka vazhduar duke e akuzuar Krasniqin se e ka gjuajtur Kuvendin e Kosovës me zollë dhe se është një rrugaç. Krasniqi e ka quajtur Zekën si personi më i degraduar dhe gjithë karriera e tij politike karakterizohet me manipulime dhe ofendime. E njëri-tjetrin e kanë quajtur me fjalët “rrugaç”, “lahper”, “lopë të gjalla”, “palaço” e “përdhunues”. Pas fyerjeve që i kishin bërë njëri-tjetrit ata kanë filluar të gjuhen me shishe uji e më pastaj edhe të grushtohen.

Ndërkaq, në emisionet shqiptare fyerjet dhe linçimet publike janë edhe më të rënda. Gjuha që përdoret aty është përtej çdo limiti. E situatë e ngjashme ishte mbrëmë, më 7 maj, edhe në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në TV Klan, ku tani protagonist ishte drejtori i KlanKosovës me ish-deputeten Mesila Doda.

Aty ish-deputetja e akuzoi Haxhiun se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe vetë Baton Haxhiu ishin ata që e kanë hedhur idenë për shkëmbimin e territoreve, gjatë vizitës së tyre në Beograd, në takim me presidentin Aleksandër Vuçiq.

E pas kësaj Haxhiu si gjithnjë ka filluar ta mbrojë kryeministrin Edi Rama se ka qenë kategorikisht kundër kësaj ideje dhe nuk ka biseduar me Aleksandër Vuçiqin. Por ish-deputetja e quajti gënjeshtar drejtorin e KlanKosovës. Pas kësaj Haxhiu filloi me fyerje personale, duke i thënë se vetëm bashkëshortit të vet mund t’i thotë se po gënjen. Doda ka vazhduar duke i thënë se “ty po të them se je gënjeshtar dhe i paedukatë”, duke e kërcënuar Haxhiun edhe me gjuajtje me shishe, nëse ia përmend bashkëshortin.

E të dy e kanë quajtur njëri-tjetrin të neveritshëm dhe të turpëruar që gjenden në të njëjtën studio.

Një tjetër rrahje brutale me grushte kishte ndodhur në një tjetër emision televiziv në Shqipëri. Aty dy sindikalistët për të drejtat e punëtorëve, Kol Nikolla dhe Fiqiri Xibiri, të dy të shtyrë në moshë shkëmbejnë grushte me njëri-tjetrin, pasi kishin filluar sharjet dhe ofendimet, duke i thënë njëri-tjetrit të pushojnë së foluri. Aty kishin ndërhyrë stafi televiziv, duke u munduar t’i largojnë nga njëri-tjetri. /GazetaExpress/