Po bëhen 8 muaj prej se kur punëtorët e kombinatit “Trepça” kanë probleme me pagat e tyre. Të paktën, kështu ka thënë Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, shkruan Gazeta Blic.

Sadiku, në një prononcim për Gazetën Blic fajin për mos vendosjen e pagave në gjiro llogaritë e punëtorëve të “Trepçës” po e hedh tek bordi menaxhues i kësaj ndërmarrjeje. E sipas tij, problemet më të mëdha, janë shfaqur që nga koha kur në detyrë ka ardhur Xhevdet Tahiri si ushtrues detyre i drejtorit të “Trepçës”.

Pagat gjithmonë janë marrë me datën 8 dhe hala ka vonesa, sot është i 17-ti dhe hala nuk janë bërë pagat. Shumica e punëtorëve janë në kredi nëpër banka dhe kanë pasur kohë që deri me të 10-in t’i paguajnë sepse janë premtuar që pagat i marrin me datën 8. “Trepça” është drejt falimentimit me këtë prodhim dhe këtë menaxhim dhe tash veçse kanë filluar vonesat e pagave. Prej kur ka ardhur ushtruesi i detyrës, Xhevdet Tahiri si ushtrues detyre i drejtorit të “Trepçës” kemi filluar të kemi probleme me pagat”, tha Sadiku.

Sadiku ka shtuar se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë punëtorët e “Trepçës” do të futen në grevë.

Do të ndërmarrim hapa të tjerë, nuk përjashtohen edhe grevat. Punëtorët nuk mund të fajësohen sepse ata janë duke e bërë punën e tyre”, tha ndër të tjera Sadiku.

Mirëpo, për gjithë këtë, Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi fajin po e hedh diku tjetër. Ai, në një bisedë për Gazetën Blic tha se punëtorët pagat do t’i marrin nesër duke hedhur edhe kritika në drejtim të tyre.

Nesër i marrin pagat. Ata kanë pasur probleme me pagat, por unë kam ardhur vetëm qe një muaj dhe do të angazhohem që t’u përmirësohen kushtet por edhe ata duhet të punojnë. Secili duhet ta kuptojë që pagat sigurohen duke punuar dhe jo duke bërë grevë. Ne duhet të punojmë të gjithë sepse pagat nuk sigurohen, sikurse u mbajt greva sikurse jo. Ne duhet ta kuptojmë një gjë, të punojmë për ti bërë pagat sepse paret vetëm prej prodhimit mund t’i bëjmë”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, për vonesat e pagave në muajt e kaluar ishte dashur edhe intervenimi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku pagat e mbetura ishin paguar.