Sylejman Selimi do t’i publikojë emrat e atyre që kanë ndikuar të mbahet në burg

Vendimi i Gjykatës Supreme për që e refuzoi kërkesën e Sylejman Selimit për lirimin me kusht, ka shtyrë që ky i fundit përmes një letre që e dërgoi në adresë të Gazetës Express, të mos ketë më përfaqësim ligjor, për shkak se beson se procesi kundër tij është i montuar politikisht. E avokati i tij Tomë Gashi, ka thënë për Express se Selimi do t’i publikojë emrat e atyre që kanë ndikuar në proces gjyqësor kundër lirimit të tij.

Loading...

Ish-komandanti i UÇK’së, Sylejman Selimi në një letër që e dërgoi javën e kaluar në adresë të Expressit, ka thënë se padrejtësisht po mbahet në burg dhe se për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ia refuzoi kërkesën për lirimin e tij me kusht, nuk do të ketë më përfaqësim ligjor.

Ai në letër ka shkruar se procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendas dhe ndërkombëtar.

Avokati Tomë Gashi, ka thënë të hënën për Gazetën Express se Sylejman Selimi do t’i publikojë emrat e personave të implikuar në gjyqësor për mos lirimin e tij.

“Sylejman Selimi shpejtë vet do të publikojë emrat e personave të implikuar në ndikim me gjyqësor për moslirimin e tij pas anulimit të aktgjykimeve, dhe ndikimin e tij apo tyre, në mbajtje në burg pa aktgjykim të plotëfuqishëm”, ka thënë avokati Gashi.

Në letrën e shkruar me dorë, të premten e javës së kaluar, Selimi tha se padrejtësinë ndaj tij do t’i dëshmojë koha dhe se ata që kanë marrë pjesë  “në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kanë me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë”.