“Specialët” hetojnë dyshimet për falsifikim në Kushtetuese

Prokuroria Speciale ka nisur procedura të mbledhjes së informacioneve lidhur me pretendimet e Avokatit të Popullit se në Gjykatën Kushtetuese ka pasur falsifikime.
KALLLXO.com ka mësuar se sot Prokuroria Speciale i ka kërkuar Avokatit të Popullit dokumentacionin përkatës në mënyrë që kjo prokurori të vlerësojë nëse gjatë procesit ka bazë për hetime penale.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Liridona Kozmaqi.
Sipas saj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka analizuar deklaratat e bëra publike nga avokati i popullit Sami Kurteshi, në të cilat theksohet se me rastin e vendosjes së çështjes së dërguar nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së emërimit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, është marrë vendim i paligjshëm si dhe është bërë një falsifikim.
“Në ato deklarata ka pohime, të cilat mund të cilësohen si dyshime të arsyeshme për kryerje të veprave penale, për të cilat është kompetente Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Andaj, nisur nga këto deklarata. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që ka në mënyrë që të vlerësojë se në atë rast a ka apo jo elemente të ndonjë vepre penale, i ka kërkuar Avokatit të Popullit përmes një kërkese me shkrim që gjithë dokumentacionin përkatës për këtë rast, t’ia dërgojë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës,” ka thënë Kozmaqi.
Javën e kaluar Avokati i Popullit Sami Kurteshi në një konferencë për media publikoi dyshimet e tij se gjatë procesit të vendimmarrjes  për rastin e riemërimit të gjykatësve ndërkombëtarë është falsifikuar nënshkrimi i gjykatësit Robert Carolan pa prezencën e të cilit gjykata nuk do kishte kuorum të vendoste në lidhje me rastin në fjalë.
Këto pretendime të Avokatit janë hedhur poshtë nga Arta Rama Hajrizi gjyqtarja raportuese në rastin për të cilin ka dyshime Sami Kurteshi, e cila ka thënë se nga themelimi i saj Gjykata Kushtetuese në asnjë rast nuk ka qenë pa kuorum./kallxo.com/