Skenderaj, ura që e ndërtoi shteti e rrezikshme, banorët përdorin atë që e ndërtuan vetë 4 fish më lirë [video]

Kjo urë e ndërtuar para 10 viteve, ishte shpëtim për banorët e fshatit Kuçicë të Skenderajt.

Këtë urë e kishte ndërtuar një banor i fshatit me mjetet e tij, e që i kishte kushtuar rreth 3 mijë euro, raporton KTV.

Loading...

Të paktën kështu tregojnë banorët e këtij fshati, që thonë se ishin të ngujuar për shumë vite gjatës stinës së dimrit.

Kjo urë doli të jetë më e fortë se ura e ndërtuar nga ana e komunës disa metra më poshtë, e që ka kushtuar afër 12 mijë euro.

E njëjta urë, nuk i ka mbijetuar ujit të rrëmbyeshëm. Është dëmtuar dhe banorët tani nuk po e shfrytëzojnë nga frika për të kaluar mbi të.

Kurse zyrtarë të opozitës në Skenderaj, kanë thënë se ky rast vë në pah neglizhencën dhe mos seriozitetin e punës së komunës dhe nivelin e korrupsionit.

Zëdhënësi i komunës së Skenderajt, Hajriz Koci ka thënë përmes telefonit se kjo urë është ndërtuar me financim të Ministrisë së Bujqësisë.

Koci ka siguruar banorët e Kuçicës se ura e dëmtuar dhe rrugët e lagjeve do të rehabilitohen dhe ndërtohen vitin e ardhshëm.