Skandali me nxënësen nga Drenasi, avokati Halilaj kërkon ndihmë nga burgu

 

Avokati Gazment Halilaj i ka bërë thirrje përfaqësuesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj) ta vizitojnë në qendrën e paraburgimit në Lipjan, ku është duke u mbajtur si i dyshuar për përfshirje në skandalin e Drenasit, respektivisht në rastin e abuzimit seksual me një nxënëse nga kjo komunë.

Ai në letrën që e ka drejtuar në adresë të  KLMDNj-së, të cilën e posedon Agjencia e Lajmeve FaktePlus, shpjegon se është duke u mbajtur në paraburgim edhe pse nuk ka asnjë palë ankuese ndaj tij.

Në letrën e tij, avokati Halilaj pretendon se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij është bërë si shenjë hakmarrje nga prokurori, për të cilin kishte bërë kallëzim penal vetëm një ditë para se të arrestohej, shkruan FaktePlus

“Të lutëm i dërgoni këtë kërkesë KMDLNj-së, me lutje që të njëjtit të më vizitojnë. Arsyeja, jam avokati që kam zbuluar rastin e policit dhe të miturës në Drenas. Jam duke u mbajtur pa palë ankuese. Dhe jam arrestuar vetëm një ditë pasi kam bërë kallëzim penal ndaj prokurorit, ku i njëjti të nesërmen më arrestoi”, shkruan avokati në letrën e tij.

Kujtojmë Halilaj është arrestuar me 27 shkurt, pasi autoritetet dyshojnë se ai ka kryer disa vepra penale.

Më saktësisht ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin, si dhe frikësim gjatë procedurës penale.

Avokati është ankuar edhe më parë për keqtrajtim

Avokati Halilaj gjatë mbajtjes në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, iu kishte thënë më herët përfaqësuesve të KMDLNj-së, se nuk i kanë ofruar për të ngrënë e as për të pirë për 22 orë rresht.

“Ai (avokati) pohoi se atë e kanë arrestuar 4 zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, për të cilën gjë ai pohoi se nuk është në kompetencë të IPK-së dhe se arrestimin e tij e kanë bërë të njëjtët persona për të cilët një ditë më parë kishte bërë kallëzim penal”, thuhej në deklaratën e KMDLNj-së.

Halilaj i ka thënë monitoruesve të KMDLNj-së se gjatë arrestimit nuk i është prezantuar urdhri për arrest, ndërsa një zyrtar i IPK-së e ka kërcënuar gjatë intervistimit se ai do të dënohet me burg.

KMDLNj ka kërkuar sqarime nga zv.Drejtoresha e Ndalimit dhe ajo ia ka konfirmuar se shpërndarja e darkës në këtë qendër bëhet në ora 18:00, ndërsa i ndaluari ka mbërritur aty në ora 18:30. Ajo citohet të ketë thënë se Qendra e Ndalimit nuk ka mundësi të sigurojë ushqim për të privuarit që vijnë pas kësaj ore.

“Kurse të nesërmen, më datë 28.02.2019 stafi i pohuan KMDLNj-së se z. Halilaj ka marrë mëngjesin dhe drekën. Avokatin me datë 27.02.2019 e kanë vizituar edhe stafi i emergjencës shëndetësore dhe është trajtuar me barërat e pacaktuara nga mjeku”, thuhej në deklarata e KLMDNj-së.

Avokati bëri publik rastin e abuzimit me nxënësen nga Drenasi

Kujtojmë se avokati Gazmend Halilaj ishte ai i cili e kishte dërguar kallëzimin penal pranë Prokurorisë në lidhje me rastin e abuzimit seksual ndaj 16 vjeçares, ndërsa tani edhe ai po hetohet si i dyshuar në këtë çështje.

Të arrestuar për këtë rast janë edhe polici nga Drenasi, Veseli Veseli, si dhe profesori Shkëlzen Xhekaj, të cilët dyshohen se kanë abuzuar seksualisht me nxënësen e mitur A.G nga Drenasi.

Sipas ankesës së nxënëses 16 vjeçare, profesori ishte personi i parë që kishte abuzuar seksualisht me të, deri sa ajo e kishte denoncuar tek i dyshuari i dytë tashmë i arrestuar, zyrtari policor Vesel Veseli.

Por fatkeqësisht, pas marrjes së deklaratës në Stacioni e Policisë në Drenas, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, polici Vesel Veseli, nën kërcënim dhe shantazh e kishte futur në dorë nxënësen.

Siç është raportuar, pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vit, vajza kishte mbetur shtatzënë. Mandej polici Veseli e kishte detyruar vajzën të abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Tashmë polici dhe profesori janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit. Kurse mjeku në ordinancën ku është kryer aborti, Fehmi Ahmeti, është në arrest shtëpiak. Tani në paraburgim është edhe avokati Gazmend Halilaj./FaktePlus