Çështja e liberalizimit të vizave ka ndarë në dysh partneret e koalicionit qeverisës, tashmë në largim. Derisa kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj deklaron se vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën është çështje javësh kur do të merret, të njëjtën gjë nuk e thotë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ky i fundit nuk preferon të jap afate kohore se kur pritet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Vetëm një ditë para se të jepte vendimin për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të qeverisë, kryeministri tashmë në dorëheqje Ramush Haradinaj, pati deklaruar se është çështje javësh kur Kosova do ta merr lajmin e merituar për liberalizimin e vizave.

Por, pesimist në këtë aspekt tregohet ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka ngurruar të japë një afat të caktuar për liberalizimin e vizave.

Ai thotë se dëshirë ka që të ndodh qysh nesër, por që nuk premton asgjë.

E njohës të integrimeve evropiane vlerësojnë se institucionet e vendit nuk kanë qenë serioze në përmbushjen e obligimeve të tyre, por edhe në procesin e lobimit për liberalizim të vizave.

Kështu , profesori universitar Afrim Hoti, dhënien e datave për liberalizim e quan spekulim të llojit të vet.

Ai thotë se pozicioni i pa qartë i BE-së dhe mungesa e seriozitetit nga ana e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrave, janë faktorët kryesor që kosovarët nuk gëzojnë ende lëvizjen e lirë.

E në kuadër të kësaj, Hoti thotë të hyjë edhe mungesa e një fushate të qartë dhe të koordinuar.

Ai identifikon 4 problematika që sipas tij, kanë ardhur si rezultat i një procesi të komplikuar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

E njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK thotë se procesi i liberalizimit të vizave është politizuar shumë.

Ai shprehet se deklaratat e shumta të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, që fundi i këtij viti do të jetë koha e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kanë bërë që qytetarët të humbasin besimin tek ta.

Ai bënë përgjegjës institucionet e vendit që kanë bërë që të mbretëroj një situatë e tillë çfarë po mbretëron sot në vend.

Teksa tregohet pesimist se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, do të shkojë brenda këtij viti drejt Këshillit Evropian.

Krejt në fund, Kryeziu tërheq vërejtjen se nuk mund të bëhet lobim për viza duke shkelur ligjet pozitive të vendit, pasi ndryshe vendeve anëtare të BE-së u dërgohet sinjal negativ nga ana e Kosovës se si nuk zbatohet ligji në vend.

Kujtojmë se raporti për Vendin për vitin 2019 është publikuar më 29 maj të këtij viti. Ndërsa bazuar në të, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova pati deklaruar se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejtë.