Sindikata kundërshton zgjedhjen e kryeredaktorëve të RTK-së

Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër ndaj vendimit absurd të menaxhmentit për pozitat e kryeredaktorëve në RTK1, RTK3, RTK-Radio dhe për kanalin fiktiv RTK5.
SPRTK konsideron se me këto vendime janë shkelur në mënyrë flagrante Ligji për RTK-në, Ligjin e Punës, Kontratën Kolektive dhe rregulloret e brendshme të mediumit publik.
Ndër të tjera, sindikata që në fillim të këtij procesi, ka njoftuar se ky konkurs nuk ka qenë transparent. Një veprim i tillë është në kundërshtim me Kontratën Kolektive të RTK-së, në të cilën parashihet që konkurset për punësime në RTK, të procedohen në prani të përfaqësuesve të Sindikatës.
Në pozitat e kryeredaktorëve të RTK1, RTK3 dhe RTK- Radio, janë legalizuar Lorik Arifaj, Ngadhnjim Kastrati dhe Albert Ademi, për të cilët në vazhdimësi sindikata ka pranuar ankesa për presion, zhantazhe, shkelje profesionale dhe censurim të lajmeve.
SPRTK poashtu bën të ditur se për pozitën e kryeredaktorit të kanalit inekzistent RTK-5 nuk ka pasur konkurs fare, ndërsa personi i zgjedhur në këtë post, Ismet Hajrullahu është në konflikt të pastër interesi pasi bashkëshortja e tij, Majlinda Hajrullahu është anëtare e Bordit të RTK-së.
Me këtë vendim menaxhmenti i RTK-së ka shkelur Ligjin për RTK-në gjegjësisht Nenin 35 pika 5 të këtij ligji, i cili thotë që kryeredaktori të mos jetë tri (3) vitet e fundit në organet e larta udhëheqëse politike. Ndërkohë Hajrullahu ka qënë këshilltar për medie në legjislaturën e fundit.
Sindikata e Pavarur të RTK-së e konsideron këtë proces të manipuluar dhe nuk i njeh rezultatet e tij.
Më poshtë e keni edhe reagimin e 12 redaktorëve të Dhomës së Lajmeve kundër vendimit të menaxhmentit të RTK-së.
Shumica e redaktorëve të dhomës së lajmeve, të poshtëshënuar në këtë letër, shprehim kundërshtimin ndaj vendimit skandaloz të zyrtarizimit të Lorik Arifajt dhe Ngadhnjim Kastratit në pozitat e kryredaktorëve në RTK1 dhe RTK3.
Ka një vit që përmes shkresave zyrtare kemi dokumentuar se këta dy individë kanë shkelur çdo normë profesionale, duke anashkaluar standardet profesionale të RTK-së. Që të dy kanë censuruar, prodhuar propagandë dhe kanë shkelur kodin etik në raport me stafin e Dhomës së Lajmeve. Disa redaktorë kanë qenë cak i kërcënimeve verbale, shantazheve, dhe ndaj disa prej tyre janë inicuar masa ndëshkuese.
Në gjykimin tonë, ata kanë treguar anëshmëri të skajshme politike, duke dëmtuar imazhin e transmetuesit publik të Kosovës. Ju rikujtojmë se paanshmëria ka qenë njëri prej kritereve kryesore të konkursit dhe është paradoksale që menaxhmenti shkel vetë konkursin. Për këtë ka evidencë të dokumentuar në vazhdimësi, shumë prej të cilave edhe janë të protokolluara.
Marrë parasysh këtë, ju informojmë se ne nuk do ta pranojmë këtë vendim, dhe rrjedhimisht nuk do ta njohim autoritetin e Lorik Arifajt dhe Ngadhnjim Kastratit.
Është për keqardhje fakti se 12 redaktorë të dhomës së lajmeve janë injoruar nga menaxhmenti, i cili me vendimin e fundit konfirmoj se është bashkëpërgjegjës për gjendjen e krijuar.
Ju rikujtojmë se pos tjerash, kërkesat tona legjitime, të inicuara prej kohësh, i kemi adresuar edhe tek anëtarët e  Bordit të  RTK-së, të cilët kanë thënë se janë në fazën e shqyrtimit dhe se pritet të marrin vendim gjatë kësaj jave.
Siç edhe ju kemi paralajmëruar, kauzën për respektimin e ligjit për RTK-në; përmbushjen e misionit të transmetuesit publik; panashmërinë dhe objektivitetin në raportim, do ta vazhdojmë edhe në mënyra të tjera.
E gjithë kjo nismë, bëhet në pajtim me përgjegjësitë tona si redaktorë të RTK-së, të cilët synojnë të përmbushin misionin profesional ndaj publikut.

Me respekt redaktorët:

Loading...

Ardita Tafallari

Arsim Halili

Blerta Foniqi­

Enver Bajrami

Festim Kabashi

Lindita Azizi

Meneta Zekaj­Nushi

Mimoza Zajmi

Rabisha Muhaxhiri

Pranvera Munishi­Morina

Shkumbin Ahmetxhekaj

Valbona Ismaili­Meholli