Si u shua Kryengritja e Kadri Veselit kundër Hashim Thaçit?

Revolta që e kaploi Kadri Veselin, të shtunën, kur publikisht kritikoi Thaçin për vizitën në Liqenin e Ujmanit, u shua të martën mbrëma. Veseli, i cili donte të hiqte hijen e Thaçit në PDK, duke larguar ministrat që e kanë shef Thaçin, u zmbraps nga iniciativa për t’i dalë kundër liderit të pakapërcyeshëm të PDK’së. Analisti Astrit Gashi ka komentuar për Express këtë përpjekje të Veselit, duke thënë se tërheqja e tij tregon joseriozitet.

Loading...

Reformimi i PDK’së së Kadri Veselit, siш e paralajmëroi ky i fundit, zgjati vetëm 24 orë.

Mllefi që e kapi Veselin, kur haptas u shpreh kundër vizitës së Presidentit Hashim Thaçi në Liqenin e Ujmanit, në veri, e braktisi shpejt atë.

Krah Thaçit, Veseli pati dy ministra, njëri prej të ciliëve, Abelard Tahiri, ishte duke u dorëhequr/shkarkuar nga posti i ministrit të Drejtësisë. Kjo sepse Veseli kishte vendosur që t’i hiqte Thaçit mundësinë që t’i bënte karshillëk në udhëheqjen e partisë dhe ministrive që i takojnë PDK’së. Donte ministra që e konsiderojnë shef atë e jo Thaçin.

Acarimi ndërmjet dy miqve, raportet e të cilëve datojnë që prej viteve të ’90-ta, u mbyll vetëm mbrëmë kur Veseli, tash gjakftohtë, tregoi se ishte zmbrapsur nga kundërshtia ndaj Thaçit.

Gjithçka që u paralajmërua e u konfirmua ndryshoi plotësisht me kthimin mbrapa të Kadri Veselit. Edhe Abelard Tahiri, i cili u gjend mes largimit e mbajtjes së pozitës, për shkak të shefave të tij, tash u la rehat. Veseli tha se ai do të vazhdojë ta drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.

Analisti Astrit Gashi thotë se tërheqja e Veselit po dëshmon joseriozitet.

“Kadri Veseli në vazhdimësi po tregon mungesë vendimmarrjeje dhe guximi politik. Çka është më e keqja për të, ai së pari po e bën një lëvizje të guximshme e pastaj po tërhiqet nga ajo. Me këtë po dëshmon edhe joseriozitet”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

Në media u raportua se ministri Abelard Tahiri u kthye në pikë testuese. Veseli donte të largonte ministrat që nuk i binden atij, por Presidentit Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj në emisionin Pressing të Televizionit 7 tha se partneri qeveritar, Kadri Veseli, ka kërkuar riformatim të ministrive që i udhëheq PDK. Haradinaj tha se mund të shkarkohen deri në tre ministra të PDK’së.

Mirëpo, në një intervistë në Klan Kosova Veseli tërhoqi çdo fjalë e veprim të tij për Thaçin. E relativizoi kundërshtimin që e kishte të shtunën kur Presdenti bashkë me ministrat Abelard Tahiri dhe Bedri Hamzën lundroi në Ujman.

Veseli vendosi për riformatim të Qeverisë, por nuk vazhdoi më tutje. Analisti Gashi thotë se kryetari i tanishëm i PDK’së nuk mund të sanojë problemet që ka brenda partisë, duke u kthyer mbrapa.

“Problemet i ka te grumbulluara nga z. Thaçi qe ka udhëhequr me PDK shumë gjatë, por Veseli nuk do te mund t’i sanojë ato duke bërë një hap para e disa hapa te tjerë mbrapa. Nuk do të mund t’i zgjidhë duke i mbuluar nën tepih telashet me shpresë se ato do te zgjidhën vetvetiu”.

Sipas Gashit, Veseli duhet ta dëshmojë veten si lider i partisë, por ai vetëm se po e thellon gropën që ia ka hapur Thaçi.

“Veseli para vetes i ka dy rrugë: të dëshmohet lider i partisë para strukturave të partisë dhe elektoratit te saj, ose pas dështimit, si ndodh zakonisht tek ata që nuk i presin gjërat, të ankohet se të tjerët nuk e lanë të ishte i suksesshëm. Kam përshtypjen se Veseli po e mih më thellë me duar të veta, gropën që ia ka hapur Thaçi”, tha Gashi. /Express/