Mosmarrëveshjet mes familjes Rafuna dhe Mehmeti dyshohet se kishin filluar disa ditë para se të ndodhte vrasja e trefishtë, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Gazeta Sinjali ka siguruar kallëzimin penal të ngjarjes që terrorizoi kryeqytetin ku jepen detaje se si nisi konflikti në lagjen “Mati 1”. Sipas pretendimeve të prokurorisë, për disa kocka të betonit, brenda pak minutash u shkrepën 18 plumba.

Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë e Prishtinës ka mësuar se motivi i konfliktit të armatosur që ndodhi ditë më parë në lagjen Mati 1 në Prishtinë, dyshohet se ka të bëjë me disa kocka të betonit, për të cilat familjet Mehmeti dhe Rafuna kishin akuzuar njëra-tjetrën si i kanë vendosur para shkallëve të lokaleve të tyre.

Nga ky konflikt u plagosën pesë presona, tre ndërruan jetë në QKUK, ndërsa i katërti është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dyshohet se 10 ditë para se të ndodhte vrasja, anëtari i familjes Mehmeti, Bashkimi, pasi i kishte vendosur kockat e betonit në shkallët e lokaleve, në pronën familjes Rafuna ka pasur mosmarrëveshje me Mefail Rafunën.

Ndërsa, në ditën kur ndodhi tragjedia, dyshohet se pjesëtarët e familjes Rafuna i kanë larguar kockat e betonit ku i kishte lënë familja Mehmeti me arsyetimin se këta gurë nuk mund të vendosen në mënyrë vertikale por vetëm horizontale.

Për pasojë, kishte nisur fjalosja me fyerje e më pas përleshja fizike mes vëllezërve Bashkim e Naim Mehmeti, në njërën anë dhe Fadil dhe Mefail Rafunes, në anën tjetër, e cila ka përfunduar me përdorim armësh.

Kush e hapi zjarrin i pari?

Sipas Kallëzimit Penal, dyshohet se Mefail Rafuna kishte shtënë i pari me armë zjarri në drejtim të vëllëzërve Naim dhe Bashkim Mehmeti të cilin e plagos rëndë si dhe ndaj  axhës së tij, Gani Rafuna, kalimtar rasti që nuk kishte të bënte fare me këtë konflikt.

Në këtë situatë, i plagosuri Bashkim Mehmeti u kundërpërgjigjet njëjtë me armë zjarri Mefail Rafunes dhe Fadil Rafunes, duke i lënë të plagosur.

Perderisa ngjarja po zhvillohej, Naim Mehmeti shkon në banesën e tij e merr armën e tipit “AK-47”, dhe niset në drejtim të vendit të ngjarjes. Por, para banesës, rastis në një pjesëtar të Policisë i cili arrinë që ta ndalojë atë dhe t’ia marrë armën.

Si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit, të dyshuarit, Bashkim Mehmeti 39 vjeçar dhe Mefail Rafuna 47 vjeçar, kanë ndërruar jetë në QKUK. Disa ditë më vonë ka vdekur edhe Gani Rafuna, 72 vjeçar i cili në kohën kur ishte plagosur ka qenë kalimtar rasti i shoqëruar me një fëmijë me çantë në dorë duke ecur në këmbë.

I dyshuari Fadil Rafuna, 51 vjeçar, është duke u trajtuar në intensivë dhe sipas mjekëve  gjendja e tij është e rëndë. Ai është ndaluar me aktvendim të Prokuorit dhe është nën masën e sigurisë së Policisë.

Çka bëri policia dhe prokuroria për këtë rast?

Lidhur me këtë sulm të armatosur,  Policia e Kosovës ka sekuestruar tri armë, dy pistoleta, një pushkë automatike “A47” dhe 18 gëzhoja të shkrepura. Ka kryer bastisje në 9 lokacione, 3 banesa pronë e familjes Mehmeti dhe 6 të tjera pronë e familjes Rafuna.

Në vendin e ngjarjes janë arrestuar dy persona Miftar Mehmeti dhe Naim Mehmeti.

Prokuroria ka intervistuar më shumë se gjashtë persona, dëshmitarë nga vendi i ngjarjes. Në mesin e tyre edhe një shtetas të Austrisë i cili ia ka dhënë ndihmën e parë njërit prej të plagosurve.

Ngjarja që tronditi kryeqytetin është cilësuar nga prokuroria si “Vrasje e rëndë”. Por, të dyshuarit po hetohen edhe për dy vepra të tjera penale:“Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. /Sinjali/

No tags for this post.