Ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, deklaroi sot se plani i administratës së tij për paqen në Lindjen e Mesme me shumë mundësi do të vonohet për t’u publikuar.

Në deklaratat dhënë pas takimit me këshilltarin e presidentit amerikan, Donald Trump, për çështjen e sigurisë, John Bolton, në Izrael, Friedman tha se publikimi i të ashtuquajturës “marrëveshja e shekullit” do të shtyhet për disa muaj.

“Marrëveshja e shekullit” është një plan amerikan për paqe në Lindjen e Mesme, detajet e të cilit ende nuk janë bërë publike.

Ky vendim u mor pasi Trump në fund të vitit 2017, njohu në mënyrë të njëanshme Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, përcjell Atsh.

Jeruzalemi mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme për shumë dekada, me palestinezët që pretendojnë që Jeruzalemi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, të jetë kryeqyteti i shtetit palestinez.