Shqipëria dhe Kosova me zyre të përbashkët doganore

Ministria e Financave të Shqipërisë dhe Ministria e Financave të Kosovës ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe, e cila ofron hapjen e një zyre të përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani priti në një takim pune homologun e tij kosovar, Abdullah Hoti. Takimi është përqendruar në diskutimin e hollësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e shkëmbimeve tregtare, të thjeshtimit të procedurave në të dy anët e kalimit të kufirit dhe çështje të tjera me interes reciprok.
Ministri Cani vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dhe të konsoliduar me Administratën Doganore të Kosovës, që është institucionalizuar tashmë me takimet e rregullta dypalëshe në nivel të lartë drejtues e që ka çuar në konsolidimin e bazave të partneritetit mes dy shërbimeve tona doganore.
Cani vlerësoi zbatimin nga pala kosovare të të njëjtit sistem për përpunimin e deklaratave doganore, ashtu si Administrata Doganore Shqiptare. Ai nënvizoi se tranzitimi i përbashkët tashmë mundëson që doganat mes dy vendeve tona të jenë virtuale, duke mos pasur ndalesa kufitare dhe kërkoi që të mundësojnë së bashku një zgjidhje të shpejtë, sikundër kërkon edhe sipërmarrja.
Nga ana e tij, ministri i Financave të Kosovës, tha se tashmë ekziston një vullnet dhe dëshirë e mirë midis palëve për të vënë në rrugën e zgjidhjes një sërë çështjesh që janë ende të pazgjidhura.
Ministri Hoti theksoi se është dakord  me Ministrin Cani për të siguruar një analizë dhe profile risku të përbashkëta, si dhe për të shkëmbyer informacion të ndërsjellë lidhur me historikun e kompanive operuese, për të siguruar atë që, të dy ministrat, e vlerësuan si klimë më e mirë ndaj biznesit.
Ministrat homologë të dy vendeve u ndalën më pas në problematikat që shoqërojnë këtë bashkëpunim ndërkufitar dhe më gjerë.
Po ashtu dy Ministrat u dakorduan që ekspertët e të dy vendeve të hartojnë sa më shpejt procedurat për të realizuar heqjen e kontrollit të dyfishtë aktual në doganat respektive dhe krijimin një zyre të përbashkët zhdoganimi për të dy shtetet si dhe të harmonizojnë politikat tatimore në fushën e mallrave të ashtuquajtur “të fortë”, që paguajnë akcizë, të zgjidhin problemin e terminaleve që në Kosovë ku po krijojnë një kosto shtesë për eksportuesit shqiptarë, të policave të sigurimit me vlerë të njëjtë në të dy shtetet,
Gjithashtu të dy Ministrat e Financave u dakorduan për të nënshkruar marrëveshjen dypalëshe, e cila merr në konsideratë zgjidhjen e problemeve të diskutuara dhe ofron plotësimin e kërkesës së të dy vendeve për një zyrë të përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë.