Shpendi ironizon pas kallëzimit penal të VV-së: Pse s’po e furnizoni edhe Prizrenin!

 

Qendra e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë ka dorëzuar në prokurori kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, rreth kontratës së qumështit.

Sipas tyre, Ahmeti keqpërdori 530 mijë € në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave I-V.

Mirëpo, i pari i kryeqytetit ka hedhur poshtë këto pretendime të partisë së Albin Kurtit.

Në një intervistë për “Indeksonline”, Ahmeti ka theksuar se këto veprime të LVV-së po bëhen si atak i përfshirjes së tij në negocitatat e Brukselit.

“Ditën që jam unë në Bruksel ata mundohen të shpifin gjoja qumështin. Qumështi është bërë në kohën sa kam qenë unë në Vetëvendosje. Ata po donë me zbulu pasi unë kam dal a… Drejtorët kanë qenë që janë anëtarë të VV-së. Çmimi më i ulët për qumësht, nëse mundet dikush me naj gjejt ma lirë se 20 cent për tetra-pak. Na i ofrojmë 20.000 nxënësve qumësht në Prishtinë për çdo ditë”, ka thënë ai.

Më tej, Ahmeti ka ironizuar me ish-partiakët e tij duke iu thënë se s’po arrijnë që qumështin ta fusin në komunën e vetme, Prizrenin.

“Me minxi po pres me pa qumështin në Prizren… premtim i Vetëvendosjes por qe 1 vjet as shenj s’ka. Ndërsa, Prishtina dhe Kamenica kanë kifle dhe qumësht”, ka deklaruar ai. /Indeksonline.