Se institucionet shtetërore janë bërë vende për rehatime është raportuar shpeshherë. Nëpër konkurset që po shpallen nëpër instistucione të ndryshme publike, zakonisht po fitojnë familjarët e politikanëve dhe militantët e partive. E së fundi i suksesshëm ka dalë në një konkurs edhe një familjar i kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Mexhit Përquku para pak ditëve ka fituar garën në konkursin e shpallur për kryeshef të administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri.

Rezultatet për këtë konkurs janë shpallur me 16 maj të këtij viti dhe aty shihet se Përquku e ka fituar vendin e punës, duke dalë i pari në listë, pasi ka grumbulluar 81.66 pikë.

Burime të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus thonë se ky konkurs ka qenë i përgatitur për të fituar Përquku, pasi edhe personi tjetër që ka qenë në garë ka abstenuar nga konkursi për t’i lënë mundësi zgjedhjes së baballakut të kryetarit.

Redaksia FaktePlus është përpjekur për disa ditë të marrë ndonjë deklaratë nga kryetari Xhafer Tahiri në lidhje me avancimet e baballakut të tij.

Por, Tahiri nuk ka dhënë përgjigje nëse ka përdorur ndikimin si kryetar komune që baballaku i tij të ketë një avancim të tillë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Vushtrri.

Njëjtë sqarim nuk ka dhënë as drejtoresha e QKMF-së në Vushtrri, Luljeta Zahiti. E kontaktuar në telefon, Zahiti nuk ka dashur të përgjigjet për këtë çështje.

“Nuk mund t’u flasë për këtë çështje”, ka thënë shkurt Zahiti.

Kush është Mexhit Përquku ?

Fituesi i garës për kryeshef të administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, Mexhit Përquku është vjehrri (baballaku) i kryetarit aktual të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Përquku prej shumë vitesh ka punuar në komunën e Vushtrrisë, duke mbajtur pozita të ndryshme, si shef për Buxhet, Zyrtar Kryesor Financiar dhe shef i Sektorit për Zhvillim dhe Ekonomi.

Mirëpo, pasi Xhafer Tahiri erdhi në krye të komunës së Vushtrrisë, Mexhit Përqukut edhe iu ndërrua vendi i punës. Ai u trasferuar nga komuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në pozitën e zyrtarit për financa.

Ky trasnfer që ndodhi vitin e kaluar u tha se ishte bërë për të shmangur çdo pretendim për konflikt interesi në administratën e komunës, pasi që zyrtari Mexhit Perquku është babai i bashkëshortes së kryetarit Xhafer Tahiri.

E vetë Përquku i kontaktuar nga FaktePlus thotë se në konkurs ka fituar me meritë, kurse transferi që është bërë kohë më parë nga komuna në QKMF ka bazë ligjore.

“Transferi bëhet në bazë të ligjit. Nuk ka pasur konkurs, me transfer prej një vendi të punës nga komuna e Vushtrrisë në një vend pune në komunën e Vushtrrisë”, tha ai.

Madje, Përquku thonë se me transfer është dëmtuar, pasi paga që kishte deri më tani si zyrtar për financa në QKMF ishte më e vogël se ajo që kishte në komunë.

“Transferin tim e ka nënshkruar Besim Muzaqi. Kemi shku me një koeficentë, atje e kemi pas 9.5 këtu e kam 9.4, do të thotë një koeficentë më të ulët. Personi Ismet Hasani që ka shku në pension e ka pasur koeficentin 9.6, ndërsa unë kam pranuar koeficentin 9.4. Në rrogë i bjen 140 euro ndryshim”, ka thënë Përquku.

Kujtojmë se për pozitën e zyrtarit financiar në QKMF në Vushtrri ishte anuluar ky konkursi për tri herë rradhazi.

Baballaku gati edhe për një pozitë tjetër në ndërmmarje publike

Mirëpo, pozita e punës që e fitoi këto ditë si kryeshef i administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, duket se nuk ka mjaftuar për baballakun e Xhafer Tahirit.

Mexhit Perquku po bëhet gati që të marrë edhe një pozitë tjetër të punës në një ndërmarrje publike. Ai është propozuar për t’u zgjedhur edhe si anëtar i Bordit të “Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, SH.A – Mitrovicë”.

Në saqrimin e tij, vetë Përquku thotë se është në pritje të rezultateve pasi që ka kryer edhe intervisitimin.

“Më kanë propozu si anëtar të bordit të Ujësjellësit për Regjionin e Vushtrrisë”, ka thënë shkurt ai.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar listën e të propozuarve për t’u zgjedhur anëtarë të Bordit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit, SH.A. Aty përveç emrin të Mexhit Përqukut janë edhe emrat tjerë të personave që kanë lidhje me LDK-në, mandej PDK-në, dhe parti të tjera.

Kryetarit Xhaferi në fillim të këtij viti iu punësua gruaja në BQK

Në fillim të këtij viti, Igballe Përçuku –Tahiri, u punësua si zyrtare e logjistikës në në institucionin kryesor financiar të Kosovës, në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Përçuku –Tahiri, e cila është bashkëshortja e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, deri para pak kohësh, ka punuar në Komunën e Prishtinës, konkretisht në drejtorinë për Shëndetësi.

Kujtojmë që muajve të fundit është raportuar shpesh se partitë politike në pushtet kanë punësuar e po vazhdojnë të punësojnë familjarë e militantë nëpër institucione e ndërmarrje publike.

Sipas asaj që është parë, ndërmarrjet publike, ministritë dhe agjencitë e pavarura janë vendet në të cilat po gjejnë rehatim njerëzit e afërt me partitë në pushtet./FaktePlus