Shkencëtari Hawking: Tri gjërat që e prishin njerëzimin

nteligjenca artificiale, alienët e përparuar dhe njerëzit armiqësorë. Këto janë tri gjërat që shkencëtari me famë botërore, Stephen Hawking mendon se mund ta shkatërrojnë njerëzimin.

Loading...

Stephen Hawking mund të jetë më i famshëm për punën e tij sa u përket vrimave të zeza në hapësirë, apo njëjtësive gravitacionale, por shkencëtari me përmasa botërore është bërë i njohur edhe për idetë e tij të guximshme për gjërat që mund të shkatërrojnë njerëzimin.

Hawking vuan nga një sëmundje e ngjashme me ALS-në (amyotrophic lateral sclerosis) që e ka lënë të paralizuar dhe jo në gjendje të flasë pa një sintetizues zëri. Por kjo nuk e ka ndaluar profesorin e universitetit të Cambridge që të flasë për gamën e gjerë të rreziqeve me të cilët përballet njerëzimi – duke përfshirë edhe ne vetë.

Ja disa gjëra që Hawkings mendon se mund të sjellin fundin e qytetërimit njerëzor.

Inteligjenca Artificiale

Hawking është pjesë e një grupi të vogël, por në rritje, shkencëtarësh që kanë shprehur shqetësime për Inteligjencën e fortë Artificiale – inteligjencë e cila mund të arrijë, apo edhe madje të kalojë atë njerëzore. “Zhvillimi i inteligjencës artificiale të plotë mund të sjellë fundin e racës njerëzore”, i tha Hawking BBC-së në dhjetor 2014. Kjo deklaratë erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje për një sistem të ri zanor të inteligjencës artificiale, të cilin por e përdor edhe vetë shkencëtari.

Paralajmërimet e Hawking u bëjnë jehonë atyre të sipërmarrësit miliarder Elon Musk, Drejtor i Përgjithshëm i SpaceX dhe Tesla Motors, i cili e ka quajtur Inteligjencën artificiale si “rrezikun më të madh ekzistencial ndaj njerëzimit”. Muajin që kaloi, Hawking, Musk dhe dhjetëra shkencëtarë të tjerë firmosën një letër të hapur ku përshkruanin risqet, si dhe dobitë e Inteligjencës Artificiale.

“Për shkak të potencialit të madh që ka Inteligjenca Artificiale, është e rëndësishme të bëjmë kërkime si të përfitojmë prej saj, duke shmangur kurthet e mundshëm”, shkruanin shkencëtarët në letër, e cila u publikua në internet në 11 janar, nga Instituti për të Ardhmen e Jetës, një organizatë vullnetare që ka si qëllim zbutjen e rreziqeve ekzistencialë ndaj njerëzimit.

Por shumë shkencëtarë që merren me Inteligjencën Artificiale thonë se njerëzimi është larg krijimit të një IA të fortë.

“Jemi dekada larg një teknologjie për të cilën duhet të shqetësohemi”, thotë Demis Hassabis, një studiues i IA në Google DeepMind. Megjithatë “është mirë ta nisim debatin sot”, shtoi ai.

Agresioni i njeriut

Nëse makinat nuk na vrasin, ne mund të vrasim veten. Hawking tashmë beson se agresioni njerëzor mund ta shkatërrojë qytetërimin. Fizikani po i ofronte një shëtitje nëpër Muzeun Shkencor të Londrës Adeze Uyanvahut, një mësues 24-vjecar nga Kalifornia që kishte fituar një konkurs tek VisitLondon.com. Kur Uyanvah e pyeti se “cilat të meta të njerëzve do të donte të ndryshonte”, Hawkings u përgjigj: “E meta njerëzore që do të doja të korrigjoja është agresioni. Mund të ketë patur avantazhe për mbijetesën në kohët e njerëzve të shpellave, për të siguruar më shumë ushqim, territor apo partnerë me të cilët riprodhoheshin, por sot rrezikon të na shkatërrojë të gjithëve”, tha ai.

Për shembull, një luftë e madhe bërthamore mund t’i japë fund qytetërimit, dhe mund të fshijë racën njerëzore, shtoi Hawking. Kur u pyet se cilën cilësi njerëzore do të donte ta fuqizonte, ai zgjodhi dhembshurinë, “sepse ajo na bashkon në një gjendje paqësore”.

Hawking mendon se eksplorimi hapësinor do të jetë i rëndësishëm për të siguruar mbijetesën e njerëzimit.

“Unë mendoj se e ardhmja afatgjatë e racës njerëzore duhet të jetë hapësira, dhe ajo ofron një garanci jetësore të rëndësishme për mbijetesën tonë në të ardhmen, pasi mund të parandalojë zhdukjen e njerëzimit, përmes kolonizimit të planetëve të tjerë”.

Jeta aliene

Por Hawking ka bërë edhe paralajmërime ogurzinj përpara këtyre të fundit. Në 2010, ai tha se nëse jeta inteligjente aliene ekziston, ajo mund të mos jetë miqësore kundrejt njerëzve. “nëse alienët na vizitojnë, mendoj se rezultati do jetë pak a shumë ashtu si kur Kristofor Kolombi zbriti për herë të parë në Amerikë, që nuk ishte shumë mirë për vendasit”, tha Hawkings.

Qytetërimet e përparuar alienë mund të bëhen nomadë, duke kërkuar të pushtojnë dhe kolonizojnë çdo lloj planeti që mund të arrijnë, tha Hawking. “Nëse është kështu, ka kuptim që ata të shfrytëzojnë çdo planet të ri për materiale, me qëllim që të ndërtojnë më shumë anije hapësinore, e kështu të vazhdojnë aventurat e tyre. Kush e di cilët do të ishin limitet?”

Nga rreziku i Inteligjencës artificiale, tek alienët e përparuar, e deri tek qeniet njerëzore armiqësore, parashikimi që Hawking ofron për njerëzimin duket goxha i zymtë.