Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh elektronik që zhvillova për një revistë anglisht në Tiranë, rezultoi se 45% popullsisë shqiptare të Kosovës është pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë, me kusht që kjo e fundit të njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, 41% janë kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, çfarëdo qoftë çmimi. Ndërsa 14% janë të pavendosur (Shihni grafikun shoqërues).

Meqenëse sondazhi ishte elektronik dhe pyetësori ishte në shqip, probabilitetin për t’iu përgjigjur e kishin vetëm shqiptarë të Kosovës me akses në internet dhe në media sociale. Pjesëtarë të pakicave kombëtare dhe shqiptarë të Kosovës pa akses në internet dhe media sociale nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në sondazh. Sidoqoftë, duke ditur penetrimin e lartë të internetit dhe telefonisë celulare ndër shqiptarët e Kosovës, mund të thuhet se rezultatet e sondazhit përfaqësojnë me përafërsi të madhe opinionin e popullsisë shqiptare në Kosovë.

Fakti që pjesa e popullsisë shqiptare të Kosovës mbështetëse e shkëmbimit të territoreve me Serbinë (me kusht që kjo e fundit të njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës) nuk ka arritur pikën kritike 50%, përbën një problem për një marrëveshje që mund të nënshkruajë eventualisht Thaçi me Vuçiçin. Që një marrëveshje e tyre të ketë kuptim e jetë të gjatë, mbi 50% e popullsisë shqiptare të Kosovës duhet të jetë dakord me të (është tjetër historia me serbët e Kosovës e të Serbisë).

Zanafilla e idesë së shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës duket se ka nisur në takimin e Helsinkit me Trump-it dhe Putinit, sepse fill pas tij, Thaçi dhe Vuçiçi hodhën idenë e “korrigjimit të kufijve”, në shkëmbim të njohjes zyrtare të shtetit të Kosovës nga Serbia. Dhe sinjalet nga Ushingtoni  e Moska kanë qenë pro një marrëveshje të tillë. Por Thaçi, siç duket, nuk ka qenë bindës deri më sot, si ndaj publikut kosovar, edhe ndaj kancelerive europiane.

Shqiptarët e Kosovës që janë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë (41%), për sa kohë nuk dallojnë një transparencë të plotë nga Thaçi, e përderisa shohin hezitim nga kanceleritë europiane, mbeten të vendosur në kampin e “jo-së”. Ndërsa të pavendosurit (14%) duket se janë të tërhequr nga ideja se Uashingtoni është prapa kësaj marrëveshje, por dyshimtarë ndaj motiveve të Thaçit dhe të frikësuar nga fakti që kanceleritë europiane janë hezituese.

Që marrëveshja eventuale mes Vuçiçit dhe Thaçit të ketë sukses afatgjatë në Kosovë, duhet që 14-përqindëshi i pavendosur të bindet nga ky i fundit se pas kësaj marrëveshje nuk ka motive të fshehta të tij dhe se kanceleritë europiane (të paktën më kryesoret) binden prej tij. Por deri më sot Thaçi ka qenë shumë ambig, si në daljet e tij në mediat vendase dhe në ato europiane. Ndërkohë, kundërshtarët e marrëveshjes, të paktën në Kosovë kanë qenë shumë më zëfortë.

Thaçit deri më sot duket se nuk i ka mjaftuar argumenti “pas kësaj marrëveshje qëndron Uashingtoni e Moska” – vetëm 45% të popullsisë shqiptare të Kosovës janë aktualisht dakord me një marrëveshje që do sakrifikonte truall të Kosovës, në shkëmbim të njohjes së shtetit kosovar nga Serbia.

Pa bindur edhe 14-përqindëshin e pavendosur, Thaçi do të bëjë mirë të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Vuçiçin, pavarësisht nga ftesa që mund t’i ketë bërë Trump-i për ta nënshkruar atë në Shtëpinë e Bardhë…/ Albanian Free Press